Lidhje

Amb. Hollbruk Kosovës: Më shumë përpjekje për integrim në BE


Ish i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, Riçard Hollbruk, u bëri thirrje sot udhëheqësve të Kosovës që të shtojnë përpjekjet për t'u integruar në Bashkimin Evropian. Në një fjalim në Parlamentin e Kosovës, ambasadori Hollbruk tërhoqi vërejtjen se vonesa për t'u anëtarësuar në këtë bashkim do të rrezikonte izolimin e Kosovës.


"Më i rëndësishmi është Bashkimi Evropian. Thënë sinqerisht, si mik i juaji, e ardhmja juaj qëndron në Bashkimin Evropian, dhe nëse ju nuk i bashkoheni BE-së brenda dhjetë vjetëve, ju gjithmonë do të mbeteni të izoluar....... Bashkimi Evropian është një projekt shumë afatgjatë dhe i cili kërkon shumë punë…… është proces më i vështirë sesa t'i bashkoheni NATO-s. Edhe anëtarësimi në NATO kërkon kohë, por Bashkimi Evropian është më i rëndësishëm për ju", tha ambasadori Hollbruk i cili i bërë thirrje Brukselit që të mos e lejoj Serbinë të hyjë në Bashkimin Evropian përderisa ajo nuk i pranon kufijtë e Kosovës, dhe para se të pranojë faktin se si anëtare e BE-së nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës.


Ish i dërguar i posaçëm për Ballkanin, Riçard Holbruk, tha se pavarësia e Kosovës është dashur të ndodhte së paku para tre ose katër vjetësh. Sipas tij Kombet e Bashkuara i kanë ndihmuar Prishtinës që të shkëputet përgjithmonë nga kontrolli i Beogradit si dhe kanë ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve të saja, mirëpo 7 vjet të administrimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë ishin të tepërta.

"Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë lëvizje shumë të ngadalshme, kështu që nuk ndodhi deri në vitin 2005 që procesi të fillonte vërtetë", tha ambasadorit Holbruk, sipas të cilit njohja e Kosovës nga 46 vende të botës është e kënaqshme përkundër faktit që Rusia vazhdon fushatën diplomatike kundër saj. Ai po ashtu theksoi se edhe kërkesa e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të jap një opinion për pavarësinë e Kosovës nuk mund ta kthejë prapa këtë proces.

Ambasadori Hollbruk kërkoj nga deputetët e parlamentit që të përqendrohen më tepër në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sepse siç tha ai, pavarësia është çështje e kryer dhe nuk mund të zhbëhet, por ekonomia e Kosovës është shumë e brishtë dhe duhet të përmirësohet./al/


XS
SM
MD
LG