Lidhje

Çejni në Itali, dënon ndërhyrjen ushtarake ruse në Gjeorgji

  • Sabina Kastelfranko
  • Romë

Nënpresidenti amerikan Dik Çejni dënoi veprimet ushtarake ruse në Gjeorgji dhe tha se si Gjeorgjia edhe Ukrahina gëzojnë të drejta të plota të anëtarësohen në NATO në të ardhmen. Ai përsëriti se tërësia territoriale e Gjeorgjisë duhet respektuar. Zoti Çejni i bëri komentet gjatë vizitës së tij në Romë pas takimit me kryeministrin italian Silvio Berlusconi, vendi i të cilit ka ofruar të shërbejë si palë ndërmjetëse mes Rusisë dhe Perëndimit në lidhje me konfliktin në Gjeorgji. Zoti Çejni po kështu foli për çështjen e Iranit ku tha se Teherani nuk duhet të lejohet që të ndërtojë armë bërthamore. Zoti Çejni dhe zoti Berlusconi diskutuan mbi përpjekjet ndërkombëtare për të bindur Irani që të veprojë në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit sipas të cilave Irani duhet t’i japë fund programit të pasurimit të uraniumit.

Gjatë ditës së katërt dhe të fundit të vizitës së tij në Itali, zoti Çejni u takua me kryeministrin Italian Silvio Berluskoni në Romë me të cilin diskutoi krizën ruso-gjeorgjiane. Zoti Çejni vizitoi shtetin aleat pas vizitave në Gjeorgji, Ukrainë dhe Azerbajxhan. Ai tha qartë se Rusia nuk mund të vepronte sipas dëshirës së vet në lidhje me Gjeorgji

“ E gjithë bashkësia ndërkombëtare dënon veprimet ushtarake ruse dhe përpjekjet e njëanshme për të ndryshuar me anë të forcës kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Gjeorgjisë,” - tha ai.

Zoti Çejni shtoi se aleatët e NATOS bien dakord se si Gjeorgjia edhe Ukrahina kanë të gjitha të drejtat të forcojnë lidhjet e tyre me perëndimin dhe t’i bashkohen Aleancës.
Ai po kështu tha se kufiri perëndimor i Rusisë nuk ka qënë kurrë më i sigurt se sot çka është rezultat i suksesit të ndërtimit të demokracive nëpër Europë. Dy udhëheqësit po kështu diskutuan mbi Iranin.

"Ne ramë dakord që Irani nuk duhet të lejohet të ndërtojë armë bërthamore. Ne folëm për përpjekjet ndërkombëtare për të bindur regjimin Iranian të respektojë detyrimet e veta bazuar mbi rezoluta të ndryshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe për t’i kërkuar Iranit të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe të bëjë publike qëllimin e plotë të aktiviteteve të veta bërthamore." - tha ai.

Zoti Çejni tha se qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë vazhdojnë të punojnë së bashku për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre ekonomike. Zoti Çejni largohet nga Italia nesër. Kryeministri Italian Berluskoni e pranoi ftesën amerikane për t’ju bashkuar presidentit amerikan Bush në festimet në Ditën e Kolombit në Shtetet e Bashkuara.//lk

XS
SM
MD
LG