Lidhje

Muzeu i Medias, Njuziëm, pasqyron punën e gazetarëve më 11 shtator 2001


7 vjet më parë, Shtetet e Bashkuara u goditën nga sulmet më të rënda terroriste në historinë e tyre. Media iu përgjigj sulmeve të 11 shtatorit, 2001 me raportime të drejtpërdrejta ndërkohë që tragjedia vazhdonte të shpalosej shpesh edhe me nota heroike. Momente të këtij raportimi janë ekspozuar në Muzeun e Medias në Uashington.

Në mëngjesin e 11 shtatorit 2001, Shtetet e Bashkuara u bënë objekt sulmi. Terroristët kishin marrë nën kontroll avionë pasagjerësh, për t’i përdorur si armë. Publiku në gjithë botën pati rastin t’i shihte sulmet drejtpërdrejt në televizion. Gazetarët u përballën me pengesa të pashembullta për të mbuluar këtë ngjarje, thotë Kathi Trost, drejtore e ekspozitave në muzeun e Medias, Njuziëm.

“Mes sfidave logjistike ishte mosfunksionimi i telefonëve celularë, bllokimi i telefonëve të rregullt si pasojë e mbingarkesës, interneti nuk funksionoi për një farë kohe. Transporti në qytetin e Nju Jorkut u bllokua plotësisht. Pak pas sulmeve, Nju Jorku ndërprehu hyrjen e trafikut hekurudhor dhe ajror, ndërkohë që trafiku ajror u ndërpre në gjithë vendin. Nga ana logjistike, ngjarja e asaj dite ishte vështirë për t’u mbuluar”.

Zonja Trost thotë se gazetarët u përballën gjithashtu me çështje të vështira etike.

“Atë ditë gazetarët u përballën me çështje etike sepse ngjarja shoqërohej me pamje aq tragjike saqë dikujt i duhej të merrte vendime brënda një kohe të shkurtër: të merreshin apo jo fotografitë, të botoheshin ato apo jo. Këto ishin vendime të vështira: njerëzit hidheshin nga kullat e larta binjake dhe gazetarët përballeshin me sfida emocionale. Shumë gazetarë thanë se atë ditë ata ishin gazetarë, por ishin edhe qënie njerzore dhe e patën shumë të vështirë të njoftonin”.

Muzeu i Medias, Njuziëm i ka dedikuar një galeri kujtimit të ngjarjeve të 11 shtatorit 2001 dhe njerëzve që humbën jetën atë ditë, përfshirë 6 inxhinjerë radio-televizioni, që punonin në Qendrën Botërore të Tregëtisë. Në muze ndodhet kulla ku ata po punonin.

“Ky është një simbol shumë i fuqishëm, megjithëse është përkulur e thyer, ajo në fakt ka ruajtur formën origjinale, megjithë atë rrëzim të tmerrshëm. Ky objekt fsheh pas tij tmerrin e asaj dite si dhe sfidat logjistike”.

Në muze ndodhet edhe një pjesë e aeroplanit me numër 93 të kompanisë United që u rrëzua në një fushë të Pensilvanisë, pasi pasagjerët u përleshën me terroristët, si dhe një pjesë e Pentagonit të dëmtuar.

Aty kujtohet gjithashtu i vetmi gazetar që humbi jetën atë ditë, Bill Biggart, fotoreporter i lirë, i cili vdiq kur një prej kullave u rrëzua mbi të. Miku i tij i ngushtë Çip Ist kujton momentet e fundit të Billit në një dokumentar të muzeut.

“Një prej fotografive të fundit është ajo e tymit, që vjen nga kulla jugore. 4 minuta më vonë, fotografia e parë pas tymit është e pastër, Billi ndjek me kamerën e tij njerëz dhe kështu ai i afrohet kullës veriore. Në marrjen e fotografive dhe dokumentimin e tyre, Billi ishte i veçantë. Fotografia e tij e fundit mban ekzakt orën kur u rrëzua kulla veriore”.

Ky film pasqyron kujtimet e gazetarëve, që mbuluan sulmin. Zonja Trost thotë se filmi përbën një regjistrim emocional të 11 shtatorit 2001.

“Shpesh gazetarët akuzohen se përfitojnë nga situata, madje se janë të njëanshëm. Ekziston mendimi i përgjithshëm se atë ditë gazetarët përmbushën me nder detyrimin e tyre. Transmetimet televizive vazhduan pa ndërprerje, pa reklama televizive për 4 ditë me radhë, transmetimi më i gjatë pa ndërprerje i një ngjarrjeje të vetme në histori. Njerëzit disi harruan konkurencën dhe u përqëndruan në njoftimin e lajmeve dhe shpjegimin e tyre, për të cilat bota donte të mësonte”.

Një mur i mbuluar me faqet e para nga gazetat e së nesërmes, 12 shtator 2001, pasqyron më së miri reagimin universal ndaj një ngjarrjeje që preku njerëzit në mbarë botën. (ze)

XS
SM
MD
LG