Lidhje

Pres. Topi dekoron Azem Hajdarin në 10 vjetorin e vrasjes


Udhëheqësi i njohur i lëvizjes antikomuniste shqiptare në fillimin e viteve 90, Azem Hajdari, u dekorua sot nga Presidenti Bamir Topi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në dhjetëvjetorin e vrasjes së tij.

Në një ceremoni solemne ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të shtetit, familjarë dhe politikanë, presidenti Topi i dorëzoi bashkëshortes së të deputetit të ndjerë democrat, Fatmira Hajdari dekoratën me urdhrin “Skënderbeu”. Azem Hajdari u vlerësua “Për kontribut të shquar në lëvizjen demokratike për rrëzimin e diktaturës komuniste, lindjen e pluralizmit politik në Shqipëri dhe futjen e saj në rrugën e zhvillimit demokratik, si një nga drejtuesit kryesor të Lëvizjes Studentore”.

Bashkëshortja e Azemit, Fatmira Hajdari, falenderoi presidentin dhe kryeministrin për nismën në nderim të zotit Hajdari në emër të familjes.“Le të shërbejë kjo dhuratë e Azemit dhe ky dekorim i Azemit me rastin e 10 vjetorit, për të gjithë demokratët, për të gjithë shqiptarët, që të bëjnë të mundur implementimin e mëtejshëm të demokracisë në Shqipëri”- tha ajo.

Deputeti i ndjerë Azem Hajdari dhe shoqëruesi i tij humbi jetën mbrëmjen e 12 shtatorit gjatë një atentati me armë zjarri të organizuar nga një grup i gjerë personash në oborin e selisë qendrore të Partisë Demokratike, atëherë në opozitë. Ky ishte atentati i tretë me armë kundër jetës së tij pas një sulmi në qytetin e Bajram Currit dhe një plagosje me revolver në mjediset e parlamentit nga nje deputet socialiste.

Azem Hajdari është organizatori i protestave studentore antikomuniste në dhjetorin e vitit 1990, që arritën kulmin me heqjen e emrit të diktatorit Enver Hoxha nga universiteti i Tiranës dhe rrëzimin e monumentit të tij në mes të kryeqytetit. Zoti Hajdari është gjithashtu kryetari i parë i Partisë Demokratike, që lindi nga lëvizja antikomuniste e vitit 90 pas gjysëm shekulli diktature enveriste.

Dëshmitarë dhe historianë kanë vlerësuar guximin dhe vetmohimin e tij për të udhëhequr lëvizjen antikomuniste dhe për të marrë vendime të rëndësishme në caste të rrezikshme. Me emrin e tij janë të lidhura, sipas tyre, fillimet e demokracisë shqiptare, dhe cdo përpjekje për të maturimin e saj.

Zoti Hajdari është një nga themeluesit e pluralizmit shqiptar dhe mbeti gjithnjë një deputet i thjeshtë i parlamentit pa marrë asnjë post shtetëror në 4 legjislatura që nga viti 1991 deri kur ndërroi jetë në vitin 1998. (ze)

XS
SM
MD
LG