Lidhje

Uashingtoni do të dërgojë një delegacion në Gjeorgji


Rusia tha se do të vazhdojë të mbajë mijëra trupa në rajonet separatiste gjeorgjiane të Osetisë Jugore dhe Abkazisë, ndërkohë që ka filluar tërheqjen nga pjesë të tjera të Gjeorgjisë. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov u tha dje gazetarëve se Rusia do të vazhdojë të ketë prani ushtarake në të dy territoret për një “kohë të gjatë”. Ndërkohë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi se do të dërgojë një delegacion në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, për të parë se si mund të ndihmojë në rindërtimin e ushtrisë gjeorgjiane.

Autoritetet gjeorgjiane dhe banorët e fshatit Ganumkuri në kufi me Abkazinë festuan tërheqjen dje nga fshati të trupave ruse.

Mbi këtë tabelë ishte shkruar fjala Abkazi. Që nga 13 gushti, ushtarët rusë qëndronin në pozicionet e tyre pranë fshatit gjeorgjian, i cili ndodhet në kufi me rajonin e Abkazisë, i cili kërkon të shkëputet.

Tërheqja e trupave në këtë vend u bë pas njoftimit të Rusisë se ajo do të vazhdojë të ketë rreth 7600 trupa luftarake në Osetinë Jugore dhe Abkazi, që sipas fjalëve të Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, do të qëndrojnë për një “kohë të gjatë.” Gjithashtu, ai bëri të ditur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me të dy rajonet.

“Trupat ruse ndodhen në territorin e Osetisë Jugore dhe në Abkazi me kërkesë të presidentit dhe parlamentit të këtyre dy republikave dhe me vendim të Presidentit rus. Brenda disa ditësh do të nënshkruhet një marrveshje, e cila do të krijojë bazat ligjore ndërkombëtare për praninë e trupave ruse në territoret e tyre”.

Gjatë luftimeve muajin e fundit, Rusia pushtoi territoret gjeorgjiane, pavarësisht protestave nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Pas bisedimeve të ndërmejtësuara nga Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi, Moska pranoi të hënën, që deri më 15 tetor, të tërheqë trupat e saj nga zona e sigurisë e shpallur nga Rusia, jashtë Osetisë Jugore dhe Abkazisë.

Në Uashington, një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes tha dje se Shtetet e Bashkuara po studiojnë si ta ndihmojnë Gjeorgjinë në rindërtimin e ushtrisë së saj.

Forcat ruse hynë në Gjeorgji muajin e kaluar, kur ushtria gjeorgjiane u përpoq të vërë përsëri nën kontroll Osetinë Jugore. Rusia tha se ishte e deturuar të mbronte qytetarët e saj në Osetinë Jugore. (ze)

XS
SM
MD
LG