Lidhje

SHBA: Përkujtohet 7-vjetori i sulmeve të 11 shtatorit


Presidenti Bush kryesoi të enjten në Shtëpinë e Bardhë një ceremoni gjatë së cilës u mbajt një minutë heshtje me rastin e përvjetorit të shtatë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit kundër Shteteve të Bashkuara.

Minuta e heshtjes u mbajt në orën 8:46 të mëngjesit pikërisht në momentin kur avioni i parë i rrëmbyer nga terroristët goditi njërën nga kullat 7 vjet më parë.

Gati 3000 vetë humbën jetën kur rrëmbyesit përplasën katër avionë mbi kullat binjake në Qendrën Ndërkombëtare të Tregtisë të Nju Jorkut, mbi ndërtesën e Pentagonit në Uashington dhe në një fushë në Pensilvani.

Me pas, Presidenti Bush mbajti një fjalim në ceremoninë e përurimit të një memoriali për nder të 184 vetëve që humbën jetën në Pentagon. Presidenti e përshkroi memorialin e ri si një homazh të përjetshëm për njerëzit e npafajshëm që humbën jetën atje.

Mes këtyre mijëra të pranishmëve, ishte presidenti Bush me Zonjën e Parë, Laura, nënpresidenti Çeni, sekretari i mbrojtjes, Robert Gejts dhe ish sekretari i mbrojtjes, Donald Ramsfeld.

“Memoriali nuk mund të zëvëndësojë kurrë ata që ju keni humbur këtu. Ne i lutemi zotit se ju do të gjeni një farë rehatije në paqen e këtij memoriali. Ne i lutemi zotit se ju do të gjeni forcën kur e dini se vendi ynë do të ndjejë dhimbjen për ju. Për të gjithë qytetarët tanë, ky memorial do të shërbejë si një kujtim i vetmohimit të shpirtit amerikan. Ndërsa ne kalojmë nëpër stolat e këtij memoriali ne nuk duhet të harrojmë se atë ditë mund të kishin humbur më shumë njerëz”.

Presidenti Bush tha se brezat e ardhshëm do të mësojnë rreth ngjarrjeve të 11 shtatorit dhe do të jenë krenar për forcat e armatosura amerikane, për zjarrfikësit, për forcat policore dhe për gjithë vullnetarët, që iu përgjigjën thirrjes së vendit në atë kohë të vështirë.

Zoti Bush përshëndeti ish sekretarin amerikan të mbrojtjes Ramsfeld për rolin e tij udhëheqës menjëherë pas sulmit kundër Pentagonit si dhe gjithë punonjësit e këtij dikasteri që ndihmuan të plagosurit.

Një qytetar nga Aleksandra jo shumë larg Pentagonit, i cili më 11 shtator 2001 punonte në klinikën e Pentagonit dhe ishte pjesë e ekipit të ndihmës së parë, kujton:

“Mendoj se është një ditë e rëndësishme që njerëzit të mos harrojnë atë që ndodhi prandaj edhe kjo ceremoni është e rëndësishme. Më vjen mirë që presidenti Bush ishte mes të pranishmëve, një ngjarrje që ai duhet të marë pjesë si komandant i forcave të armatosura. Mendoj se 11 shtatori do të mbahet mend për vite me radhë”.

Sot mbasdite Memoriali i Pentagonit për viktimat që u vranë aty më 11 shtator 2001 do të hapet për publikun, duke u bërë kështu për herë të parë në historinë e tij një pikë turistike.

Mbas fjalimit të presidentit, familjet e viktimave u drejtuan për tek memoriali për përurimin e tij.

Fokusi i memorialit janë 184 stola të ndërtuar mbi një basen uji. 59 stola ndodhen përballë Pentagonit dhe përkujtojnë pasagjerët e vrarë në aeroplanin me numur fluturimi 77 të kompanisë Amerikan. 125 stolat e tjerë janë vendosur në drejtim të kundërt dhe përkujtojnë ata që u vranë brenda ndërtesës. Mbi secilin prej stolave është gdhendur emri i njërit prej të vrarëve atë ditë në Pentagon.

Në qytetin e Nju Jorkut, emrat e viktimave u lexuan me zë të lartë në vendin e quajtur “Kuota Zero”, ku dikur ngriheshin dy kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë. Të afërmit e viktimave qendronin me sy të përlotur dhe mbanin në duar fotografitë e të afërmve. Ata hodhën trëndafila në një basen të ndërtuar aty pranë.

Kandidatët për president Xhon Mekejn dhe Barak Obama do të marrin gjithashtu pjesë në një ceremoni në vendin ku ngrihej Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork. Ata kanë rënë dakord që të mos bëjnë komente gjatë ceremonisë.//kk//

XS
SM
MD
LG