Lidhje

Sara Pejlin, si e ka ndryshuar ajo garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara

  • Xhim Malone

Zgjedhja e guvernatores së Alaskës Sara Pejlin si kandidate për nënpresidente nga kandidati republikan për president Xhon Mekejn e ka ndryshuar garën presidenciale amerikane në disa mënyra të papritura.

Këtë javë fushata e senatorit Mekejn ishte përqendruar në Ohajo, një prej shteteve të rëndësishme për sa i përket garës presidenciale, duke shfrytëzuar rezultatet e anketave të fundit që tregonin se zoti Mekejn e kishte barazuar dhe madje po fitonte epërsi ndaj rivalit të tij demokrat Barak Obama.

Rrugën për zotin Mekejn po e udhëheq kandidatja e tij për nënpresidente, guvernatorja e Alaskës Sara Pejlin.

Zonja Pejlin kryen detyrën tradicionale të prezantimit të zotit Mekejn gjatë ndalesave të fushatës, por duket qartë se turmat e mbledhura kanë po aq kureshti ta shohin atë sa të emëruarin republikan për president.

"Ai është shumë i thjeshtë për ta thënë këtë vetë, por do ta them unë për të. Vetëm një njeri në këto zgjedhje ka luftuar për ju, dhe ai njeri është senatori Xhon Mekejn,"- tha ajo.

Që nga kuvendi i partisë republikane, kandidatura republikane Mekejn-Pejlin ka fituar epërsi siç duket nga anketat dhe zgjedhja e zonjës Pejlin, duket se e ka rritur entuziazmin për kandidaturën e tyre.

Senatori Mekejn tani e prezanton kandidaturën republikane si një kandidaturë të përqendruar tek sjellja e ndryshimeve dhe reformave në Uashington.

"Miqtë e mi, jam shumë i nderuar t'ju prezantoj sot guvernatoren Sara Pejlin. Po mezi pres t'ia prezantoj atë Uashingtonit dhe shpenzuesve të mëdhenj," - tha ai.

Sikurse shumica e amerikanëve, fushata e zotit Obama duket se u zu e papërgatitur nga zgjedhja e zonjës Pejlin.

Senatori Obama e pranon se kandidatura e zonjës Pejlin e ka ndryshuar garën për në Shtëpinë e Bardhë.

"Ajo i ka sjellë entuziazëm Partisë Republikane, për këtë nuk ka dyshim. Por ne duhet të presim dhe të shohim si do të shpalosen ngjarjet gjatë javëve të ardhshme kur njerëzit të fillojnë të pyesin se kush do t'i përmbushë kërkesat e tyre,"- tha zoti Obama.

Për një periudhë afatshkurtër, anketat sugjerojnë se zonja Pejlin por merr disa përfitime politike nga republikanët, dhe sidomos nga votuesit konservatorë.

Biografja Kajlin Xhonson thotë se thirrja e Sara Pejlin shkon përtej votuesve konservatorë, e deri tek ata që janë të shqetësuar për etikën dhe reformat në qeveri.

"Mendoj se ajo i ka dhënë energji kandidaturës republikane, për këtë jam e sigurt. Ajo i ka të gjitha gjërat që kanë kërkuar njerëzit deri tani për sa i përket diçkaje të re dhe ndryshimit. Mendoj se e reja që sjell ajo në këtë kandidaturë është energjia dhe një qasje të re ndaj transparencës dhe etikës në qeveri",- thotë biografja.

Ekspertët politikë thonë se përfshirja e zonjës Pejlin në kandidaturën republikane e ka ndihmuar zotin Mekejn ndërkohë që ai konkuron me Obamën për sa i përket faktit se kush do të sjellë ndryshim.

Leri Sabato është drejtor i Qendrës së Politikës në Universitetin e Virxhinias.

"Obama është zënë ngusht nga zoti Mekejn. Zoti Mekejn duket sikur i ka vjedhur temën e tij të reformës, ndryshimit dhe bashkëpunimit dypartiak. Zotit Obama i duhet të përpiqet shumë për ta rifituar atë", - thotë analisti.

Sprova kryesore e zonjës Pejlin mund të jetë me 2 tetor kur ajo dhe demokrati Xho Bajden do të marrin pjesë në debatin e kandidatëve për nënpresident në St. Luis.

Senatori Mekejn dhe senatori Obama do të marrin pjesë në tre debate presidenciale gjithashtu, nga të cilët i pari do të mbahet me 26 shtator në Misisipi.//lk




XS
SM
MD
LG