Lidhje

Zonja Pejlin mbron përvojën e saj, mban qendrim për sigurimin kombëtar


Kandidatja për zv/presidente, Sara Pejlin mbrojti përvojën e saj dhe mbajti një qendrim të prerë për çështjet e sigurimit kombëtar në një intervistë të shumëpritur me kanalin televiziv, ABC. Guvernatorja e Alaskës ishte pothuajse e panjohur në skenën kombëtare, kur kandidati republikan për president, Xhon Mekein, e zgjodhi atë si partneren e tij për presidencën amerikane.

Guvernatorja e Alaskës Sara Pejlin ka shërbyer vetëm dy vjet në këtë post dhe mori pasaportën e saj të parë për të udhëtuar jashtë vendit për të vizituar trupar amerikane në Kuvajt dhe Gjermani vitin e kaluar. Por ajo tha në një intervistë ekskluzive me spikerin e programit të lajmeve të kanalit televiziv ABC, Charlie Gibson se nuk hezitoi aspak që të pranonte propozimin e Senatorit Mekein për të konkuruar sëbashku për presidencën e Shteteve të Bashkuara.

"U përgjigja menjëherë 'po' sepse kam besim të patundur në gatishmërinë dhe predispozitën për të qënë e angazhuar në misionin për të reformuar vendin dhe për të fituar luftërat".

Intervista u përqendrua në çështjet e sigurimit kombëtar. Zonja Pejlin tha se invazioni rus në Gjeorgji ishte 'i paprovokuar' dhe 'i papranueshëm'. E pyetur se a do të hynin Shtete e Bashkuara në luftë me Rusinë, nëse Rusia do ta pushtonte përsëri Gjeorgjinë, Pejlin u përgjegj:

"Ndoshata po. Ky është një nga detyrimet kur je anëtar i NATO-s. Nëse një vend sulmohet, pritet që të veprosh nëse të kërkohet ndihmë".

Guvernatorja Pejlin tha se mbështet pranimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO.

Spikeri i ABC-së, Gibson, e pyeti zonjën Pejlin nëse forcat amerikane kanë të drejtë të kryejnë sulme përtej kufirit të Afganistanit, në Pakistan, pa patur më parë miratimin e qeverisë së vendit. Ajo u përgjegj me fjalë të përgjithëshme, pa thënë prerazi "po" ose "jo".

Senatori Mekein ka kritikuar për këtë çështje Senatorin Barak Obma, i cili mbështet sulmet në zonën kufitare të Pakistanit, me apo pa lejen e qeverisë, nëse atje diktohen terroristë të kërkuar.

Një pjesë e intervistës u dha dje në përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, dhe ditën kur zonja Pejlin, nënën e pesë fëmijëve, mori pjesë në ceremoninë e nisjes me shërbim ushtarak të djalit të saj, i cili do të shërbejë në Irak në forcat e këmbësorisë amerikane nga fundi i këtij muaji.

Sondazhet e opinionit tregojnë se duke i ofruar Guvernatores Pejlin postin zv/presidenti, fushata e Senatorit Mekein u forcua ndjeshëm. Pejlin u bë menjëherë "e famëshme", me një popullaritet të ngjashëm me atë të Senatorit Obama. Ajo ka bërë fushatë këtë javë me zotin Mekein, duke tërhequr më shumë pjesëmarrës në mitingje se sa ai vetë.

Intervista e Guvernatores Pejlin me kanalin ABC është e vetmja që ka caktuar për të ekipi organizator i fushatës së Senatorit Mekein. //iç//

XS
SM
MD
LG