Lidhje

Gjenerali polak Jaruzelski del në gjyq për krime komuniste


Udhëheqësi i fundit komunist i Polonisë u paraqit sot në gjykatë, i akuzuar për vendosjen e ligjit të gjendjes së luftës në vitin 1981, si masë për shtypjen vdekjeprurëse të aktivistëve pro demokracisë.

Prokurorët paraqitën akuzat kundër Vojçik Jaruzelski dhe 7 ish-zyrtarëve të tjerë. Procesi i gjykimit rifilloi pas ndërprerjes për muaj të tërë, si pasojë e interpretimeve ligjore.

Gjenerali 85 vjeçar Jaruzelski, u paraqit në sallën e gjyqit në Varshavë, duke mbajtur një palë syze të errëta, moment që u transmetua drejt për së drejti nga televizioni polak.

Ish-zyrtarët janë akuzuar për kryerjen e krimeve komuniste, duke përdorur ligjin e gjendjes së luftës, në përpjekje për të shpartalluar lëvizjen e punëtorëve të bashkuar, Solidarnost, sindikata e parë e pavarur në një vend komunist. Më shumë se 100 vetë u vranë gjatë dhunës së ushtruar dhe shumë të tjerë u arrestuan.

Mbrojtja ka thënë se udhëheqësit polakë vendosën ligjin e gjendjes së luftës, si një të keqe më të vogël për të evituar një pushtim të Polonisë nga Bashkimi Sovjetik.

XS
SM
MD
LG