Lidhje

Vazhdojnë hetimet për vdekjen e papritur të afaristit Kosta Trebicka


Në Shqipëri vazhdojnë hetimet për vdekjen e papritur të afaristit Kosta Trebicka, i cili ishte bërë i njohur për denoncimin e disa veprimeve të paligjshme me armatimet shqiptare. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, udhëtoi pasditen e së shtunës me helikopter drejt qytetit të Korçës, e shoqëruar nga ekspertë amerikanë për të ndjekur nga afër hetimet mbi vdekjen e tregtarit Kosta Trebicka. Ajo u takua me grupin hetimor që po punon për të ndriçuar vdekjen e dëshmitarit të rëndësishëm për hetimet e aksidentit të Gërdecit, duke kërkuar atyre një punë profesionale në këtë proces. Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se është kryer ekspertiza mjeko-ligjore mbi trupin e pajetë të Kosta Trebickës, i cili u gjet dje në një zonë malore në jug-lindje të Shqipërisë.


Prokuroria theksoi në njoftimin e shtypit se ka kërkuar ndihmën e specializuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ka marrë në terrenin e vendngjarjes prova materiale dhe dëshmi të shumta për të ndriçuar vdekjen e Kosta Trebickës. Prokuroria tha se asnjëherë nuk ka patur informacione për rrezikun e tij, dhe as është vënë në dijeni nga i ndjeri Kosta se kish pastur kërcënime, apo se ndjente rreziqe për jetën e tij.

Ambasada e SHBA-së shprehu ngushëllime familjes Trebicka dhe pohoi se një ekspert amerikan i është bashkuar hetimeve, menjëherë pas kërkesës për ndihmë që bëri prokuroria shqiptare. Eksperti i SHBA ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe në spitalin e Korçës, ku është bërë edhe autopsia e trupit pa jetë të Kosta Trebickës.

Policia e shtetit njoftoi ndërkaq se Kosta Trebicka ka ndërruar jetë nga trauma e një aksidenti automobilistik. Zëdhënësi i policisë së shtetit, Klodian Branko, njoftoi këtë të dhënë në rezultatet paraprake të grupit të ekspertëve. Vdekja

e Kosta Trebickës ka provokuar reagime të shumta shtetërore dhe partiake, për shkak të lidhjes së tij me hetimet e incidentit të Gërdecit.

Kryeministri dhe Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shprehu ngushëllimet familjes dhe të afërmve të të ndjerit Kosta Trebicka. Në deklaratën e shpërndarë nga PD theksohet se zoti Berisha “ishte i vetëdijshëm për cilësinë e tij si dëshmitar në një proces të rëndësishëm
hetimor, ndaj edhe ka urdhëruar Ministrinë e Brendshme të angazhojë ekspertët e saj më të mirë, dhe në rast nevoje të kontribuojë edhe me ekspertë të huaj, për të hetuar në mënyrën më të plotë, profesionale e transparente, rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje, si dhe për t’i bërë ato publike”.

Opozita socialiste shprehu ngushëllime dje për familjarët, duke shrehur mbështetje të plotë për prokurorinë e përgjithshme në ndricimin e kësaj ngjarjeje. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se zoti Trebicka është viktima e 27 e shpërthimit të Gërdecit. Kosta Trebicka ishte një tregtar, i cili publikoi biseda telefonike të regjistruara nga ai vetë midis tij dhe Efraim Diveroli, ku shprehen dyshime për trafik të paligjshëm me fishekët kinezë të ushtrisë shqiptare drejt Afganistanit. //bsa//

XS
SM
MD
LG