Lidhje

Muzika e ndaluar nga nazistët lulëzon pas 60 vjetësh


Arti do të gjejë një mënyrë për të lulëzuar, pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve qeveritarë për ta shformuar, denigruar ose shkatërruar atë. E tillë ishte muzika që u ndalua nga nazistët 60 vjet më parë por që në ditët tona ka ringjallur interes sërish tek publiku.

Mbrëmjet qetësuese të verës janë të përkryera për një koncert nën yje, dhe komunitete anembanë Amerikës organizojnë shumë koncerte muzikore. Në një zone idilike vreshtash të Kalifornisë - një kantinë luksoze në Luginën Napa, jepet një koncert me një muzikë që dikur ndalohej nga nazistët.

Njëra prej pjesëve është kuartet për harqe numër 1 i kompozitorit Ervin Shulhof. Kompozitori çek e nisi karrierën e tij mes luftës së Parë dhe të dytë Botërore. Mishel Adams, drejtor artistik i këtij festivali muzikor, thotë se Shulof nuk është emër mjaft i njohur në ditët tona, por dikur ishte.

“Ai u zbulua nga Dvorzhaku si një djalë ëndërrimtar në Pragë, dhe i pati kontaktet e para muzikore me mësuesit më të mire. Dashuronte xhazin dhe muzikën moderne madje përshtai dhe Manifestin Komunist në muzikë. Kur e mendon tani, natyrisht një hebre që jeton në një Gjermani naziste dhe deklaron që është komunist ishte ndoshta një ide jo e mirë. Por në atë kohë Shulof ishte një emër mjaft i njohur në Gjermani si kompozitor dhe pianist. Zyrtarisht ai ishte damkosur si muzikant i degjeneruar”.

Titulli i këtij koncerti është Të Degjeneruarit. Kjo është arsyeja pse nazistët e quajtën këtë lloj arti dekandent ose subversiv - kryesisht punët e artistëve hebrenj. Albreht Dojmling, specialist për muzikën e quajtur të degjeneruar, thotë se nazistët kishin një shije tepër të ngushtë muzikore. Ata pëlqenin vetëm Bahun, Bethovenin dhe Moxartin.

Ata thoshin se ishte më mirë të interpretoje këta kompozitorë të shkëlqyer se sa gjëra të paqarta në muzikë.

Muzika e paqartë përfshinte çdo gjë të re dhe jo gjermane. Dhe, pa diskutim, çdo kompozim nga hebrenjtë. Dojmling thotë se mjaft muzikantë hebrenj ikën nga Gjermania Naziste, por jo të gjithë.

Disa prej muzikantëve donin të qëndronin, dhe në fund, ata u transportuan në kampe si Terzini, apo ndoshta Aushvici. Ervin Shulhof vdiq në Kampin e Përqëndrimit të Vulzbergut në vitin 1942.

Organizatori i koncertit, Majkëll Adams thekson se në një farë mënyre, presioni gjerman ndaj muzikës së degjeneruar përhapi farën e muzikës së re, për të lulëzuar diku tjetër. Për shembull, Kurt Veil, kompozimet e të cilit ishin pjesë e këtij koncerti, e la Gjermaninë në vitin 1930 dhe u vendos në SHBA.

Kur Veil shkroi Operën e Tre Groshëve me bashkëpunëtorin e tij Bertolt Breht, kjo bëri jehonë për mesazhin politik që ajo përçonte kombinuar me artin e Berlinit të viteve 20, duke krijuar atë lloj shfaqjeje muzikore që hapi rrugën për ate lloj gjinie që ne tani e njohim me emrin kabare. Pjesa Mack the Knife, e cila hap shfaqjen, u kthye në një nga meloditë më popullore të shekullit të 20.

Megjithatë, ironia sipas zotit Albreht Dojmling, specialist i muzikës së degjeneruar gjermane, është te fakti se ka një përqëndrim mjaft të madh tek shtypja naziste që iu bë veprave të Ervin Shulhofit dhe bashkëkohësve të tij Feliks Mendelsohn, Arnold Shënberg dhe Gustav Maler. Njerëzit, thotë ai, duhet të vlerësojnë punën e këtyre kompozitorëve për ata çka ajo është në të vërtetë - një muzikë e mirë. //kk//

XS
SM
MD
LG