Lidhje

Sekretari i Mbrojtjes Gejts viziton papritur Afganistanin


Sekretari amerikan i Mbrotjes Robert Gejts bëri një vizitë të panjoftuar më parë në Afganistan, ndërsa drejtuesit e këtij vendi shprehën shqetësime rreth viktimave civile të shkaktuara nga sulmet ajrore amerikane.

Sekretari Gejts mbërriti sot në Kabul pas një vizite në Irak. Zëdhënësi i Pentagonit Xhef Morrell tha se zoti Gejts do të takohet me komandantët ushtarakë amerikanë dhe presidentin afgan Hamid Karzai për të vlerësuar përpjekjet në luftën kundër talebanëve dhe shqetësimet rreth vdekjeve të civilëve.

Kombet e Bashkuara thanë sot se viktimat civile në Afganistan në muajin gusht ishin më të lartat në Afganistan qysh nga rënia e qeverisë talebane në vitin 2001.

Në një deklaratë, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Navi Pillai tha se 330 civilë u vranë muajin e kaluar, përfshi 90 në një sulm të drejtuar nga amerikanët në provincën e Heratit.//lk

XS
SM
MD
LG