Lidhje

Evropianët përfshihen nga paniku i krizës financiare

  • Tom Rivers
  • Londër

Treguesit kryesorë të bursave evropiane ranë sot për të dytën ditë me radhë pas shqetësimeve që lindën nga falimentimi i bankës së investimeve Lehman Brothers në Shtetet e Bashkuara.

Faqet e para të gazetave londineze flasin për frikën që i ka kapur njerëzit ndërkohë që kriza financiare botërore po thellohet. Gazeta Gardian në faqe të parë ka titullin me gërma të mëdha: “Ankth në Uoll Strit”.

Ndërsa titulli i gazetës "Independent" është një fjalë e vetme "Crash!" Gazeta "Daily Mail" pyet: "Edhe sa keq do të bëhet?" Daily Express shpreh hamendje për koston që do të ketë falimentimi i Lehman Brothers, me nëntitullin: "500,000 vetë do të humbin vendet e punës në Britani”.

Në përpjekje për t’ju kundërvënë kësaj atmosfere të zymtë, Sekretari Britanik i Thesarit, Alister Darling thotë se po bëhet gjithçka për të zbutur pasojat:

"Pasiguria po prek të gjitha vendet e botës por mendoj se nga një vështrim pozitiv, qeveritë, bankat qendrore dhe rregullatorët e tregjeve e kanë bërë të qartë se ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të ruajtur qendrueshmërinë e sistemit financiar."

Tregjet evropiane ishin që të gjitha në një atmosferë të zymtë sot, por jo aq negative se sa ishin dje.

Bankat Qendrore evropiane hodhën sot në tregje miliarda euro të tjera në formën e kredive afatshkurtra në përpjekje për të rritur likuiditetin pas falimentimit të firmës Lehman Brothers. Por dhimbja ende nuk ka mbaruar. Kryetari i Komisionit Britanik të Thesarit, Xhon Mekfoll, thotë se pa dyshim, që krediti është shtrënguar akoma më shumë:

"Si pasojë e zhvillimeve të skajshme gjatë fundjavës, tani do të jetë ndoshta më e vështirë për të marrë kredi. Pra, kriza do të ketë ndikim mbi njerëzit e thjeshtë dhe ata duhet ta kuptojnë një gjë të tillë”.

Ndërkohë, Banka "Barclay's" e Londrës konfirmoi interesimin e saj për të blerë një pjesë të aseteve të firmës Lehman Brothers dhe thuhet se bisedimet vazhdojnë.//lk

XS
SM
MD
LG