Lidhje

Mekejn, Obama përqendrojnë fushatat tek kriza ekonomike


Kandidatët presidencialë amerikanë Xhon Mekejn dhe Barak Obama i përqendruan fushatat e tyre dje tek ekonomia dhe planet e tyre për të rregulluar krizën financiare të vendit. Në Florida, senatori Mekejns, i emëruari i Partisë Republikane, fajësoi babëzinë dhe menaxhimin e dobët të Uoll Stritit dhe Uashingtonit për problemet e mëdha financiare. Ai tha se do të krijonte një komision për të studiuar shkakun e krizës dhe për të gjetur zgjidhje. Ndërsa senatori Obama, duke folur në Kolorado, tha se arsyeja e krizës financiare dihet dhe se vendi ka nevojë për një udhëheqje të mirë për ta zgjidhur problemin.

Barak Obama kaloi dy javë jo shumë të lehta për fushatën e tij, meqenëse rivali i tij Xhon Mekejn fitoi pikë nga anketat pas zgjedhjes së kandidates për nënpresidente, guvernatores së Alaskës Sara Pejlin. Por në një miting në Golden të shtetit Kolorado, zoti Obama me sa duket gjeti një mundësi të mirë për ta përshkruar rivalin e tij si njeri që nuk e njeh realitetin ekonomik.

“Ne po kalojmë krizën më të madhe financiare prej dekadash. Megjithatë, senatori Mekejn thotë se bazat e ekonomisë sonë janë të forta. Por, pas pak fushata e zotit Mekejn e dërgoi atë t’i rregullonte komentet e tij.”

Zoti Mekejn doli në disa programe televizive duke thënë se vendi po kalon me të vërtetë një krizë financiare, dhe për ta kuptuar këtë më mirë Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një komision të pavarur të nivelit të lartë për të studiuar se çfarë e ka shkaktuar atë, të ngjashëm me komisionin për sulmet terroriste të 11 shtatorit.

Obama e hodhi poshtë idenë e komisionit, duke thënë se “ne e dimë se si kemi hyrë në këtë rrëmujë.” I emëruari i Partisë Demokrate ia hedh fajin filozofisë së Partisë Republikane për të mos rregulluar politikat ekonomike nga të cilat ai thotë se përfitojnë vetëm amerikanët e pasur dhe jo klasa e mesme.

Nga ana e tij, zoti Mekejn mbajti një qendrim pak më tjetër se në të kaluarën duke përshkruar rrënjët e krizës së tanishme në Tampa të Floridas.

“Do t’i japim fund sjelljes së pakujdesshme, korrupsionit, dhe babëzisë që kanë shkaktuar krizën në Uoll Strit.”

Zoti Mekejn iu bashkua thirrjes së zotit Obama për rregulla më të rrepta për Uoll Stritin.

“Njerëzit kanë të drejtën ta dinë se kur vendet e tyre të punës, pensionet, investimet dhe e gjithë ekonomia vihet në rrezik nga Uoll Striti. Dhe me reformat që do të bëj unë për sektorin financiar, kjo e drejtë bazë do të mbrohet.”

Por zoti Obama e vuri në pikëpyetje qendrimin e papritur të zotit Mekejn për rregulla më të rrepta për institucionet e Uoll Stritit.

“Mos u gaboni, rivali im po kandidon për katër vjet të tjera politikash që do ta prishin edhe më tej bilancin ekonomik. Zemërimi i tij ndaj Uoll Stritit do të ishte më i besueshëm nëse ai nuk do t’u ofronte kompanive investitore shkurtime të mëtejshme taksash.”

Fushata e zotit Mekejn thotë se propozimet e tij për shkurtime taksash për investitorët dhe bizneset do të zgjerojnë tregtinë dhe do të nxisin rritjen ekonomike, ndërsa propozimet e zotit Obama për të rritur taksat ndaj atyre që fitojnë më shumë dhe korporatave do të dëmtojë ekonominë. //bsa//

XS
SM
MD
LG