Lidhje

Kremlini këmbëngul për ekzistencën e naftës në Arktik


Rusia po vazhdon pretendimet ndaj burimeve të mëdha të energjisë në Arktik, të cilat mund të përfshijnë depozita gjigante nënujore nafte dhe gazi. Udhëheqësi i Kremlinit Dmitri Medvjedev po përpiqet të riformulojë kufijtë e Rusisë dhe ta bëjë rajonin polar një bazë të vetën burimesh natyrore në shekullin e 21-të.

Presidenti rus Dmitri Medvjedev tha gjatë një takimi të Keshillit Kombëtar të Sigurisë në Kremlin, se sigurimi i burimeve në Arktik do të jetë një prioritet kryesor i politikës ruse.

Kjo sipas tij do të kërkojë të merren një numër masash speciale, përfshirë këtu edhe formulimi e një baze të shëndoshë ligjore në lidhje me veprimet ruse në Arktik.

“Rusia së pari duhet të finalizojë dhe miratojë një ligj federal në kufirin jugor të saj dhe fill pas kësaj duhet të përpilojë rregullat për të përcaktuar kufijtë e kontinentit. Kjo çështje ka rëndësi strategjike”, - tha ai.

Pasuria e mundshme minerale e Arktikut e ka bërë këtë çështje një problem ndërkombëtar. Sipas ligjit ndërkombëtar shtetet mund të bëjnë kërkesë që të marrin kontrollin e zonave 320 km brenda kufijve kontinentalë.

Moska thotë se një formacion gjeologjik i një sipërfaqjeje të madhe e njohur me emrin Lomonosov, është pjesë e Rusisë. Por Sekretari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Nikolai Patrushev, pranon se vendet e tjera nuk e pranojnë këtë pretendim rus.

“Rusia duhet të mbrojë interesant e veta por kupton edhe faktin se vendet e tjera të Arktikut mbi të gjitha Kanadaja, Norvegjia, Danimarka, dhe Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë gjithashtu interesat e veta”, - tha ai.

Danimarka ka bashkëpunuar me Kanadanë në lidhje me kërkesat e veta se platforma Lomonosov është zgjatim i Amerikës veriore.

Vitin e kaluar një automjet akullthyes me fuqi bërthamore shoqëroi një anije kërkimore ruse në Polin e Veriut ndërsa një mininëndetëse ruse vendosi flamurin rus në tabanin e detit poshtë saj.

Presidenti Medvjedev i tha Këshillit të Sigurimit se Arktiku mund të përmbajë rreth një të katërtën e burimeve botërore nënujore të hidrokarbureve. Ai po kështu theksoi se rreth 20% e prodhimit të përgjithshëm bruto rus dhe 22% e eksporteve në vend prodhohen në zonat e Arktikut, aty ku Rusia kështu nxjerr shumicën e metaleve të rralla dhe me vlerë.

Por udhëheqësi i Kremlinit thotë se transporti i pazhvilluar detar dhe ajror në zonat më veriore ruse përbën një pengesë për realizimin e mundësive për investime në zonën e pasur të Arktikut.

Zoti Medvjedev vë theksin mbi faktin se problemet e pjesës më në veri të Rusisë nuk mund të zgjidhen vetëm me investimet e buxhetit federal por do të kërkojnë bashkëpunimin me bizneset dhe autoritetet lokale. Ai po kështu foli mbi nevojën për zhvillimin e teknologjive të kohës për t’i ofruar banorëve në veriun e Rusisë më shumë mundësi në fushën e arsimimit, zhvillimit profesional, dhe shëndetësisë.//lk

XS
SM
MD
LG