Lidhje

Censura ndaj Internetit vazhdon në Kinë


Falë Lojrave Olimpike mund të duket se Kina gëzon sot një liri më të madhe. Disa faqe ndërkombëtare interneti si Zëri i Amerikës, që ishin të bllokuara para lojrave, tani janë zhbllokuar. Megjithatë kjo nuk do të thotë se Kina nuk e censoron më internetin, por ndoshta thjesht që qeveria kineze ka gjetur mënyra për ta vënë theksin tek imazhi pozitiv, duke lënë jashtë çdo pikëpamje negative.

Faqja e internetit e Zërit të Amerikës është një nga faqet ndërkombëtare të lajmeve që u zhbllokuan për Lojrat Olimpike, pasi u bllokua për vite me radhë. Kina e rihapi faqen në fillim të Lojrave Olimpike të Pekinit dhe që atëherë trafiku në internet është rritur me 58 mijë vizitorë në ditë. William Baum, shefi i Shërbimit të Internetit për Kinën në Zërin e Amerikës thotë se vititorët e rinj kanë reagime të ndryshme ndaj njoftimeve që kritikojnë qeverinë kineze.

“Kur jeton në një mjedis ku media e vendit është e mbyllur dhe i vetmi burim lajmesh, sidomos atyre ndërkombëtare është ai i medias së kontrolluar si Xinhua dhe CCTV, kur dëgjon pikëpamje të kundërta, njerëzit dyshojnë nëse ajo pikëpamje është objektive”.

Ndërsa Kina mund të thotë tani se lejon lirisht përdorimin e internetit, Baum thotë se 30 mijë kontrollorët e internetit që mendohet se veprojnë në vend, ende kanë shumë punë për të bërë. Njoftime brenda faqes që i referohen temave delikate si Tibeti dhe Taivani bllokohen ende. Ndërkohë faqet e brendshme të internetit kontrollohen edhe më shumë. Zhang Shihe shkruan në një blog të përditshëm në Pekin, mbi idetë e tij. Ai thotë se faqja e tij që ka rreth 1 mijë e 500 abonentë, është bllokuar për 11 ditë gjatë 30 ditëve të fundit.


Gjatë tri viteve të fundit, kufizimet janë shtuar gradualisht. Para tre vjetësh, blogu im nuk fshihej kurrë. Tani rregullat janë bërë gjithnjë e më të rrepta. Nuk ka lidhje domosdoshmërisht me Lojrat Olimpike, sepse edhe para tyre kontrolli ishte forcuar”.

Por edhe shkarkimi i muzikës ka pasoja politike dhe ekonomike. Itunes e kompanisë Apple të kompjuterave, u bllokua përkohësisht në gusht; menjëherë pasi nxorri një album të titulluar këngë për Tibetin. Gilbert Kaplan, një avokat që përfaqëson Koalicionin e Kalifornisë për Amendamentin e Parë po i kërkon qeverisë amerikane që ta konsiderojë censurën kineze si një çështje mosmarrëveshjeje tregëtare. Ai thotë se Kina eksporton kompjuter dhe në këmmbim duhet të lejojë pa kufzime përdorimin e faqeve ndërkombëtare të internetit.

Një pjesë e marrëveshjes është që kompanitë e shërbimeve dhe ato të internetit me qendër në Shtetet e Bashkuara, si Yahoo, Flicker dhe Wikipedia, si edhe institucione të gazetarisë si BBC-ja dhe faqe të tjera të njohura të internetit që janë të bllokuara duhet të kenë qasje në tregun kinez”.

Kaplan thotë se shpreson që përmes presionit ekonomik, ai mund të realizojë atë që nuk e bëri dot presioni diplomatik: shembjen e murit që bllokon informacionin e internetit në Kinë.

XS
SM
MD
LG