Lidhje

Bush për krizën financiare:  Masa të pashembullta ndaj një momenti qenësor


Presidenti George Bush tha se qeveria po përgjigjet me masa të pazakonta ndaj një “momenti qenësor”, siç u shpreh ai, për ekonominë amerikane. Presidenti i bëri këto komente në Shtëpinë e Bardhë, bashkë me një numër zyrtarësh të lartë të sektorit financiar të vendit. Korrespondenti ynë në Shtëpinë e Bardhë, Scott Stearns, njofton se presidenti kërkon që Kongresi të miratojë blerjen e sigurimeve mbi bazat e kredive të rrezikshme për blerjen e shtëpive, për të mbrojtur vendin nga një rrezik serioz.

Presidenti Bush tha se sistemi i sipërmarrjes së lirë të Amerikës bazohet në besimin se qeveria duhet të ndërhyjë në marrëdhëniet e tregut vetëm kur të jetë e domosdoshme. Duke pasur parasysh atë që ai e quajti, gjendje të rrezikshme të tregjeve të sotme, zoti Bush tha se ndërhyrja nuk është vetëm e justifikueshme, por edhe jetike.

“Ekonomia e Amerikës po përballet me sfida të pashembullta dhe ne po përgjigjemi me hapa të pashembullt”.

Sekretari i Thesarit, Henri Pollson, parashtroi sot një program për blerjen e sigurimeve, që mbështesin kredi të rrezikshme në blerjen e shtëpive, që ai tha se do të kushtojë qindra miliarda dollarë.


Ky hap kërkon miratimin e Kongresit, prandaj Sekretari Pollson informoi mbrëmë udhëheqësit e Kongresit lidhur me këtë program. Një ligjvënës me peshë në komisionin e Senatit për sistemin bankar, republikani nga shteti i Alabamës, Richard Shelby, tha se marrja nën kontroll e tregjeve financiare mund t’u kushtojë taksapaguesve deri në një trilion dollarë.

Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Bush tha se nevojiten masa vendimtare për të mbrojtur sistemin financiar të Amerikës si dhe ekonomionë në përgjithësi:

“Këto masa do të kërkojnë që të vëmë në rrezik një sasi të konsiderueshme të parave të taksapaguesve. Këto hapa shoqërohen me rreziqe, por ne shpresojnë që eventualisht këto para të harxhuara të japin rezultate pozitive për vetë taksapaguesit”.

Presidenti tha se pasiviteti shoqërohej me rrezik shumë më të madh, me humbje të vendeve të punës, dëmtimin e llogarive të pensioneve, uljen e vlerës së shtëpive dhe shterrimin e kredive të mundshme në të ardhmen. //rd//

XS
SM
MD
LG