Lidhje

Shqipëria dhe Kosova në raportin e Departamentit të Shtetit për lirinë fetare


Departamenti amerikan i Shtetit nxori të premten raportin e tij vjetor mbi lirinë e besimit në bote, ku analizon përpjekjet që bëjnë qeveritë e vendeve të ndryshme për të respektuar të drejtën e besimit fetar të qytetarëve të tyre.

Shqipëria
Në kapitullin për Shqipërinë, raporti thekson se qeveria ka mbetur e angazhuar për të respektuar të drejtën e lirisë së besimit të sanksionuar në kushtetutën e vendit. Më tej në kapitull theksohet se qeveria përgjithësisht respekton praktikimin e lirë të besimit fetar. Shqiperia, thekson raporti, nuk ka ligj që ndalon mbajtjen e simboleve fetare apo veshjeve fetare, megjithatë shkollat kanë të drejtën të caktojnë standarte mbi veshjen në shkolla, gjë që në dy raste ka çuar në perjashtimin nga shkolla të dy vajzave që mbanin shami koke. Ndërkaq qeveria, thekson raporti, vazhdon përpjekjet për të kthyer pronat e komuniteteve fetare, që u konfiskuan gjatë regjimit komunist.

Kosova
Në kapitullin për Kosovën theksohet se autoritetetet e Prishtinës, UNMIK-u dhe forca ndërkombëtare e udhëhequr nga Natoja, në përgjithësi kanë treguar respekt për lirinë e besimit. Megjithatë, ndër problemet që thekson raporti janë shqetësimet që ngre komuniteti protestant veçanërisht për mungesë qasjeje në media, si dhe për reagime negative nga popullata lokale. Raporti thekson se dhuna në komunitete ka shënuar rënie, megjithatë tensionet mbeten të larta mes grupeve etnike. Megjithëse serbët njoftojnë pengesa në lëvizjen e lirë, këto probleme, në raportin e Departamentit të Shtetit për lirinë e besimit në botë, shihen kryesisht si tensione etnike dhe jo të motivuara nga dallimet fetare. //ad//

XS
SM
MD
LG