Lidhje

Presidenti Bush kërkon nga Kongresi 700 miliardë dollarë në ndihmë të tregut financiar

  • Mil Arcega
  • Uashington

Administrata e Presidentit Bush po i kërkon Kongresit 700 miliardë dollarë për të ashtuquajturin planin e ri të shpëtimit, i cili synon lehtësimin e krizës globale financiare. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Bush tha se ndërhyrja e qeverisë në këtë rast është e nevojshme, për shkak të rrezikut që kriza e tregjeve financiare paraqet për qytetarët e thjeshtë amerikanë. Sipas planit të ri, qeveria duhet të blejë borxhet e prapambetura, si për shembull kreditë që nuk mund të paguhen nga institucionet financiare amerikane, që kanë humbur para pas marrjes së huave të rrezikshme nga bankat. Zoti Bush tha se programi kërkon rrezikimin e shumë parave të taksapaguesve, por ai shtoi se kjo do të kushtonte më pak se mos ndërhyrja e qeverisë. Kandidati demokrat për President, Barak Obama tha se ai mbështet përpjekjet e zyrtarëve të administratës së Presidentit Bush për planin e shpëtimit. Në fjalën e përjavshme të Partisë Demokrate në radio, senatori Obama tha se ata duhet të gjejnë një zgjidhje, e cila t'i ndihmojë njerëzit të përballojnë çmimet e larta të gazit dhe të ushqimeve dhe kjo nxit krijimin e vendeve të punës.

Tregjet financiare shënuan të premten rritje, me më tepër se 3 për qind, pasi udhëheqësit e Kongresit hartuan një plan për ta shpëtuar sistemin financiar të Shteteve të Bashkuara. Megjithëse detajet e planit nuk janë finalizuar ende, disa po e cilësojnë atë paketa më e madhe për shpëtimin nga falimentimi në historinë amerikane.

"Ky është një moment tepër i rëndësishëm për ekonominë amerikane", - tha Presidenti.

Presidenti Bush tha se kriza financiare e ka pakësuar besimin në qëndrueshmërinë ekonomike të vendit. Ai u bëri thirrje ligjvënësve t’i kapërcejnë kufijtë partiakë dhe ta miratojnë paketën sa më shpejt që të jetë e mundur.

"Ne duhet të marrim tani masa për ta mbrojtur ekonominë e vendit nga rreziku i madh që i kanoset. Do të ketë mundësi të mjaftueshme më vonë, për ta debatuar origjinën e këtij problemi. Por tani është koha për ta zgjidhur atë," - tha Presidenti.

Plani kërkon krijimin e një agjencie, e cila do të blente të ashtuquajturat borxhe nga hua të këqia, me synimin për t’i shlyer ato nga sistemi financiar. Ky plan po ashtu do të zgjeronte fondin e bankave për huatë e emergjencës dhe do të shtonte sasinë e parave që janë në diapozicion për dhënien e kredive.

Megjithëse propozimi mund të eliminojë një pjesë të pasigurisë që e ka çuar ekonominë amerikane drejt rënies, Senatori Riçard Shelbi thotë se ky plan, po ashtu, do të ketë një çmim të madh:

"Nëse u hedhim një vështrim hapave që ka marrë tashmë Rezerva Federale dhe zgjerimit të kompetencave të Thesarit për të ndihmuar kompanitë Fannie Mae dhe Freddie Mac, besoj se bëhet fjalë për rreth një trilion dollarë."

Por Sekretari i Thesarit Henri Polson tha se pasiviteti në këto momente do të kushtonte edhe më tepër se kaq:

"Jam e bindur që ky qëndrim i guximshëm ndaj krizës do t’u kushtojë familjeve amerikane shumë më pak se alternativa tjetër - një seri e vazhdueshme dështimesh e institucioneve financiare dhe tregje kredish të ngrira, të paafta për të financuar rritjen ekonomike të vendit."

Dështimi i kompanive që kanë përjetuar humbje të mëdha, si rezultat i krizës së shtëpive, i dedikohet pjesërisht ngadalësimit ekonomik. Por jo gjithkush është i binudr që taksapaguesit duhet të paguajnë vetë koston e vendimamrrjes së gabuar të kompanive.

"Pra, ajo që po shohim, është se ekonomia nuk mund ta përballojë t’i lerë këto biznese të dalin jashtë kontrolli, por në të njëjtën kohë tani i dujet taksapaguesve t’i nxjerrin nga problemet. Pra, unë ndjehem i zhgënjyer nga ky fakt", - tha një qytetar.

Por për miliona njerëz që i varin shpresat tek një treg i qëndrueshëm, në mënyrë që të mund të dalin në pension, plani i ri i administratës mund të sjellë ndryshime pozitive.


61-vjeçarja Sju Rummel, psh, thotë se kishte planifikuar që t’i tërhiqte investimet për pensionin, që të mos humbte më tepër para. Tani ajo ka vendour të presë.

"Tani ndjhem më mirë. Ende kam disa shqetësime, se ku do t’i gjejë paratë kjo e ashtuquajtur agjenci. Kush do të paguajë për të, nëse jo taksapaguesit."- tha ajo.

Departamenti i Thesarit po harton në plan legjislativ, të cilin do t’i kërkojë Kongresit që ta shqyrtojë atë javën e ardhshme.//lk

XS
SM
MD
LG