Lidhje

Këngëtarja meksikano-amerikane Lila Daun me albumin e ri "Shake Away"


Këngëtarja meksikano-amerikane, Lila Daun, ka nxjerrë kohët e fundit albumin e ri me titull "Shake Away". Ajo fitoi famë me këngën "Burn it Blue", që e kompozoi për filmin "Frida" në vitin 2002. Ky film i kushtohet artistes meksikane Frida Kahlo. Në albumin e saj të ri, Lila Daun këndon me stile të ndryshme në dy gjuhë, anglisht dhe spanjisht. Kritikët e muzikës thonë se ky është albumi i saj më krijues.

Minimum Wage

Kjo është kënga "Minimum Wage", shprehje e gjendjes së vështirë të shumë imigrantëve meksikanë që vinë në Shtetet e Bashkuara për të gjetur punë. Lila Daun ka edhe përvojën e saj në kalimin e kufirit. Ajo lindi në Oaxaca të Meksikës tek një nënë meksikane dhe një baba amerikan. Ajo filloi të këndonte që kur ishte fëmijë në Meksikë. Më pas ajo kreu studimet universitare për muzikë në Shtetet e Bashkuara.

Lila Daun jepte shfaqje e veshur dhe e krehur në stilin e Frida Kahlos, por për albumin e saj të fundit ajo vendosi ta ndryshonte pamjen duke ndjekur modën e re meksikane. Ajo thotë se është e kënaqur për ndryshimin e saj. Kjo është një këngë tjetër nga albumi "Shake Away" dhe titullohet "Perro Negro."

Perro Negro

Lila i kompozoi vetë shumë nga këngët e albumit "Shake Away". Por në këtë album ajo ka përfshirë edhe kompozime të muzikantëve të tjerë të njohur. Një prej tyre është aranxhimi i saj i këngës së Karlo Santanës "Black Magic Woman", të cilën ajo e këndon me Raul Midón. Dhe me këtë këngë, të dashur dëgjues, përfundojmë këtë edicion të Zërit të Amerikës, duke ju uruar një fund jave të këndëshme.

Black Magic Woman

XS
SM
MD
LG