Lidhje

"NAAC" nderon dy personalitete amerikane që kontribuojnë për kauzat shqiptare


Dy personalitete amerikane, ambasadori Frank Uizner dhe kongresmeni Eliot Engel thanë mbrëmë në Nju Jork se Shtetet e Bashkuara do t'i qendrojnë vazhdimisht në krah Kosovës. Ata i bënë komentet në një darkë të shtruar për nder të tyre nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë me zyra ne Nju Jork dhe në Uashington.

Nuk është hera e parë që Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, i njohur shkurtimisht me emrin "NACC", nderon me ceremoni madhështore personalitete të cilat kontribuojnë për kauzat shqiptare. Por ky vit ishte i vecantë për shqiptarët – me përpjekjet intensive amerikane, në shkurt, Kosova fitoi pavarësinë dhe pak më pas Shqipëria mori ftesën për tu pranuar në NATO. Prandaj darka e djeshme ishte kryesisht një mirënjohje e shqiptaro-amerikanëve për këtë rol të Shteteve të Bashkuara.Ambasador Frank Uizner, ndërmjetësoi në emër të qeverisë amerikane bisedimet përfundimtare te cilat ndihmuan në krijimin e bindjes në opinionin ndërkombëtar se rruga e vetme për Kosovën ishte pavarësia.

Zoti Uizner u nderua mbrëmë më cmimin “Duart e Shpresës” për rolin e tij që organizatorët e ceremonisë e quajtën “historik” drejt realizimit të pavarësisë së Kosovës. Prezantimin e ambasadorit Uizner e bëri Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Lulzim Basha.

Diplomati i karrierës Uizner, aktualisht është Nënkryetar për Marrëdhëniet më Jashtë në firmën e madhe të sigurimeve "American International Group".

"Angazhimi i Amerikës për Kosovën na lejoi që t'i thoshim Rusisë, se një punë e cila është e nevojshme të kryhet, ne jemi të vendosur ta kryejmë dhe nuk mund të shtyhet. Kosova e meriton pavarësinë....Megjithëse e ardhmja dhe begatia e Kosovës duhet të jetë në Europë, unë besoj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë një përgjegjësi të posaçme për fatin e këtij vendi të ri. Në fund të fundit, ne si amerikanë udhëhoqëm përpjekjet për të detyruar forcat e Milloshevicit të largoheshin nga Kosova, për të paraqitur rezolutën 1244, për të inkurajuar diplomacinë që çoi në vendimet përfundimtare, për të krijuar konsensusin perëndimor, duke u qendruar në krah miqve tanë europianë dhe duke u bërë ballë presioneve dhe kërcënimeve të Rusisë. SHBA duhet de do të vazhdojnë t'i qendrojnë në krah Kosovës dhe shqipraëvë kudo në Ballkan. Zgjedhjet tona presidenciale nuk do ta ndryshojnë asnjë grimë përkushtimin tonë, i cili është i thellë dhe në interesin tonë kombëtar",- tha diplomati amerikan.

Zoti Uizner tha se SHBA nuk do të jenë dakord me ndarjen e Kosovës.

Kongresmeni nga Nju Jorku Eliot Engel është një tjetër figurë e rëndësishme që luajti rol në sensibilizimin e Kongresit dhe të administratave të ndryshme amerikane për Kosovën. Mbrëmë ai u nderua me "Çmimin për arritje jetësore".

“Për amerikanët nuk ka miq më të mirë në të gjithë botën se sa shqiptarët. Kjo duketketu, duket në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo ku ka shqiptarë. Sa mirë kur shikon këtu flamurin e Kosovës midis flamurin amerikan dhe atij shqiptar”,-tha zoti Engel.

Zoti Engel tha se Kosovës i mbetet shumë për të bërë por premtoi se ai do të vazhdojë të punojë për të ndihmuar në njohjen ndërkombëtare të Kosovës dhe aspekte të tjera.

“Për sa kohë që do të jem anëtar i Kongresit amerikan, unë do të vazhdoj të trokas në cdo derë, për të garantuar se Shtetet e Bashkuara do t'i japin Kosovë cdo ndihmë që të kenë mundësi dhe që një ditë, Kosova, ashtu si edhe Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe e NATO-s.”

Shqiptaro-Amerikanët si Avni Mustafaj, drejtor ekzekutiv i NAAC-ut, nuk kanë humbur kohë për të kuptuar urgjencën e sfidave me të cilat përballet sot Kosova:

“E rëndësishme sot është të ndërtohet Kosova: infrastruktura, rrugët, shkollat dhe spitalet. Ne kemi nevojë të zhvillojmë gjithë atë talent që ështeë sot në Kosovë dhe të mos kenë nevojë këta njerëz të largohen nga Kosova. Nuk ka përsë Kosova të mos bëhet shtet modern dhe të pranohet një ditë në NATO dhe ne BE. Megjithatë ne e dimë se rruga e Kosovës për në strukturat ndërkombëtare vjen nga Uashingtoni.”- tha zoti Mustafaj.//lk

XS
SM
MD
LG