Lidhje

Anketat dhe roli i grave në mbështetje të guvernatores Sara Pejlin


Këtu në Shtetet e Bashkuara, është intensifikuar fushata presidenciale, ndërkohë që kanë mbetur vetëm 43 ditë nga 4 nëntori. Anketat e opinionit tregojnë se dy kandidatët, demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekein, janë mbërthyer në një garë të fortë.

Zgjedhjet presidenciale të këtij viti janë tepër të veçanta për vetë kandidatët që janë përballë njeri tjetrit. Në palën demokrate, kandidati presidencial është afrikano-amerikani i parë në këtë pozitë, dhe në anën republikane, pikëpamjen konservatore për herë të parë e përfaqëson një grua, Sara Pejlin.

Anketat e opinionit publik tregojnë se shumë gra kanë reaguar me entuziazëm ndaj kandidates republikane për nënpresidente, madje shumë gra të bardha duket se janë tërhequr nga kandidati demokrat, dhe po mbështesin kandidatin republikan, Xhon Mekein, që kur ai njoftoi partneren e tij, kandidaten për nënpresidente Sara Pejlin.

Guvernorja e Alaskës, Sara Pejlin është bërë tani një prej nënave më të famshme të Amerikës.

Si përkrahëse e të drejtës për armëmbajtje dhe nënë 44 vjeçare e 5 fëmijëve, zonja Pejlin u ka dhënë energji votuesve republikanë, të cilët më parë nuk ishin të tillë rreth Senatorit Xhon Mekein. Madje gratë e bardha janë mes përkrahësve më të vendosur të guvernatores Pejlin, si për shembull, Ejnxhëll Vogenrajtër, nënë nga shteti i Virxhinias.

“Shkova në një tubim fushate të kandidatëve Mekein-Pejlin dhe ndoshta nuk do të kisha shkuar po të ishte vetëm për Xhon Mekein, sepse kam fëmijë të vegjël dhe më duhet të shkoj në punë. Por atë ditë mora pushim nga puna dhe shkova për të parë Sara Pejlin”.

Anketimet e kohëve të fundit flasin për një ndryshim të rëndësishëm në mbështetjen mes grave të bardha: nga kandidati demokrat Barak Obama, që ato mbështesnin më parë, ato tani mbështesin republikanin Xhon Mekein, që kur zonja Pejlin u emërua si kandidate për nënpresidente.

Shumë prej këtyre grave thonë se ndjejnë një farë lidhje me guvernatoren e Alaskës si nënë që përpiqet të ruajë një balancë mes punës dhe familjes.

Guvernatorja Pejlin ka vlerësuar herë pas here senatoren Hillari Klinton, duke u përpjekur kështu të tërheqë miliona gra që votuan për senatoren demokrate në zgjedhjet paraprake për president.

Guvernatorja Pejlin e përmendi senatoren e Nju Jorkut Klinton që në fjalimin e saj të parë, kur u emërua kandidate për nënpresidente dhe ka folur rreth saj me tone pozitive, ndërkohë që zonja Klinton bën fushatë për senatorin Obama dhe, ndërsa përmend faktin që një grua është kandidate për postin numër 2 në Shtetet e Bashkuara, ashtu siç bënë demokratët në vitin 1984, senatorja thotë se vota për dyshen Mekein-Pejlin do të ishte një zgjedhje e gabuar.

Shumë grupe grash paralajmërojnë se zonja Pejlin ka pikëpamje që bien ndesh me çështje për të cilat gratë kanë luftuar shumë, si për shembull e drejta e abortit. Këto grupe thonë se senatori Mekein ka qënë kundër ligjit për paga të barabarta për gratë.

Sipas këtyre grupeve, i gjithë ky fenomen që rrethon zonjën Pejlin është si të thuash një hap mbrapa për gratë dhe çështjet e tyre, por gra të tjera si Ejnxhël Vogenrajtër nuk janë të këtij mendimi.

“Unë mund të mos bëj të njëjtat zgjedhje si Saha Pejlin për të arritur në pozita kaq të larta në qeveri, por unë mendoj se ajo trajton çështjet shqetësuese për mua dhe për përfaqëson mua”.

Dhe jeta personale e guvernatores Pejlin është një arsye e mjaftueshme për t’i siguruar asaj disa vota të grave.


Anketimet për kandidatët presidencialë dhe partnerët e tyre për nënpresident në Shtetet e Bashkuara janë të përditshme dhe si të tilla natyrisht që duhet pritur të ketë ndryshime të përditshme. Për shembull, tronditjet e javës së kaluar në sektorin financiar janë pasqyruar edhe në ndryshimin e rezultatit të anketave, mbështetja për demokratin Obama është ngritur, ndërkohë që për republikanin Mekein ka rënë, sepse votuesit bëjnë një lidhje mes senatorit republikan dhe presidentit Bush, popullariteti i të cilit është i ulët.

Alternativat që ofrojnë dy kandidatët për zgjidhjen e problemeve mund të tingëllojnë të ngjashme sepse ata nuk japin shumë hollësi, por në thelb ato janë të ndryshme. Por po t’i kthehemi përsëri anketimeve, deri në ditën e zgjedhjeve të 4 nëntorit ka ende 43 ditë dhe një pjesë e mirë e njerëzve, ata që pritet edhe të përcaktojnë fatin e zgjedhjeve, të pavarurit, nuk dihet se kujt do t’ia japin votën.

Ditën e zgjedhjeve gjithmona ka patur dhe do të ketë të papritura. //rd//


XS
SM
MD
LG