Lidhje

Grupi i Shtatëshes diskuton planin amerikan për të rimëkëmbur financat


Zyrtarë të lartë të ekonomisë nga vendet më të pasura të botës thanë se do të marrin të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar stabilitetin e sistemit financiar ndërkombëtar. Ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qëndore të Grupit të Shtatëshes diskutuan të hënën në një konferencë telefonike planin amerikan për të rimëkëmbur financat.

Kjo pason kërkesën e administratës së Presidentit Bush që kongresi amerikan të miratojë planin e ndërhyrjes financiare prej 700 miliardë dollarë. Presidenti tha se e gjithë bota është në pritje të masave që do të marrin Shtetet e Bashkuara për të kapërcyer krizën. Ai i kërkoi Kongresit që të shmangin qëndrimet partiake që do ta dobësonin efektivitetin e planit, apo do të ngadalësonin miratimin e tij.

Presidenti tha se nëse nuk merren masa pasojat do të jenë të rënda duke dëmtuar si amerikanët e thjeshtë ashtu edhe investitorët e pasur. Veprimet e Uashingtonit lehtësuan shqetësimet e investitorëve në tregjet aziatike që pësuan sot ngritje, por vlera e aksioneve në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara ra.

Në zhvillime të tjera, Bordi i Rezervës Federale amerikane tha të dielën se do të lejojë dy bankat e investimeve Goldman Sachs dhe Morgan Stanly të pranojnë depozita dhe të marrin hua nga banka qëndrore. //bsa//

XS
SM
MD
LG