Lidhje

Debate në Kongres mbi planin e administratës në ndihmë të sektorit të trazuar financiar


Anëtarë të Kongresit kërkuan më shumë mbrojtje për taksapaguesit si dhe më shumë kontroll nga Kongresi mbi planin që është duke u debatuar për ndihmat prej 700 miliardë dollarësh për institucionet financiare në Shtetet e Bashkuara që rrezikojnë të dështojnë. Demokratët dhe disa republikanë shprehën pakënaqësi me planin paraprak të propozuar nga administrata e Presidentit Bush.

Ndërkohë që negociatat me administratën e President Bush vazhdojnë dhe versione të projekt-ligjit që mund të merret në shqyrtim që nesër në Kongres, janë qarkulluar në Kapitol, ligjvënësit shprehën shqetësime e tyre.

Sipas projektligjit që do të shqyrtojë Kongresi, qeveria federale do të shpenzonte miliarda dollarë për blerjen e aseteve që u ka rënë vlera, veçanërisht huatë e shtëpive në Shtetet e Bashkuara që rëndojnë mbi kompani të rëndësishme financiare.

Duke mbajtur në dorë një kopje prej tre faqesh të propozimit fillestar që iu dha Kongresit nga Sekretari i Thesarit, Henri Polson, demokrati nga shteti i Oregonit, Piter Defazio tha se propozimi do t'i vinte taksapaguesit amerikanë në një pozitië të vështirë.

"Sekretari Polson kërkon ta hartojë projekt-ligjin në atë formë që barrë të bjerë mbi taksapaguesit. Jo. Ne duhet të marrim një siguri për pronat e këtyre kompanive, ose duhet t'i zgjasim atyre afatin kohor për borxhet."

Gjithashtu, kritika e vunë re dhe nga ana e republikanëve, si nga republikani nga shteti i Floridës, Klif Stërns, i cili tha se propozimi fillestar i jep Sekretarit të Thesarit një autoritet pa precedent duke mos parashikuar një mbikqyrje.

"Ky plan shton borxhin tonë tepër të madh kombëtar në 11.3 trilion dollarë ndërkohë që u jep mundësi bankave të huaja, të cilat zotërojnë hua të dhëna në Shtetet e Bashkuara të përfitojnë nga miliardat e dhëna për të dalë nga kjo situatë. Ky plan përbën ndërhyrjen më të madhe në histori për ndihmën e dhënë nga qeveria, por nuk parashikon asgjë për mbrojtjen e taksapaguesve."

Duke analizuar propozimin e administratës vetëm si propozim fillestar dhe jo si përfundimtar, udhëheqësi i demokratëve në Senat, Heri Rid, përforcoi kërkesën për më shumë përgjegjësi për çdo ligj të miratuar nga Kongresi.

"Ne nuk do të lejojmë të japim një gjykim të nxituar në këtë proces. Administrata e Presidenti Bush i kë kërkuar Kongresit miratojë planin e saj ndihmues pa diskutime serioze ose përpjekje për ta përmirësuar atë. Ne nuk mund ta lejojmë një gjë të tillë."

Në një kohë që publiku është tepër i revoltuar nga rrogat vjetore prej disa miliona dollarësh për drejtuesit e firmave të dështuara financiare, ligjvënësit gjithashtu shtuan masa të cilat do të përcaktojnë kufinj në kompensimin e drejtuesve.

Ligjvënësit në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat do të kenë mundësi të marrin në shqyrtim dhe të miratojnë projektligje të njëjta, ndoshta brenda pak ditëve.

Megjithatë, në këmbimet e bursës dje në Wall Street, indeksi Dau Xhons pësoi një rënie prej 371 pikësh, gjë që pasqyron paqëndrueshmerinë e tregjeve në mungesë të një marrëveshjeje dhe ligji përfundimtar për t'iu përgjigjur krizës financiare në Shtetet e Bashkuara. //ad//

XS
SM
MD
LG