Lidhje

T.I.: Shqipëria përmirëson indeksin për shkallën e korrupsionit


Oganizata Transparency International publikoi sot indeksin e perceptimit të korrupsionit ku klasifikon vendet sipas një sistemi pikësh nga 0 për vendet më të korruptuara, në 10 për ato që nuk janë të prekura nga korrupsioni. Ky indeks tregon qartë se kjo dukuri mbetet një sfidë serioze për vendet e Ballkanit.

Transparency International thotë se vendet e Ballkanit përballen me nivele serioze të korrupsionit, megjithë reformat dhe nismat e marra nga këto vende për të arritur standartet e kërkuara për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Sipas organizatës, Kroacia Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje Hercegovina nuk kanë përmirësime të dukshme në luftën kundër korrupsionit. Por ndryshe nga këto vende Shqipëria arriti të përmirësojë më shumë indeksin në luftën kundër korrupsionit këtë vit në krahasim me vitin e kaluar duke arritur të ketë 3,4 pikë në klasifikimin e Transparency International. Në fakt organizata e përfshin Shqipërinë në 10 vendet që kanë shënuar përmirësimin më të madh përsa i përket luftës kundër korrupsionit, që shprehet edhe në indeksin e përmirësuar, këtë vit në krahasim me vitin e kaluar.

Transparency International thotë se qeveria shqiptare ka ngulmuar tek reformat anti-korrupsion dhe ato duket se po tregojnë tani rezultatet e para. Grupi i punës i krijuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin ekonomik, thekson Transparency International, ka shtuar numrin e zyrtarëve të ndjekur penalisht dhe të dënuar për korrupsion, duke bërë në të njëjtën kohë që të rritet besimi tek publiku se korrupsioni mund të dënohet në Shqipëri. Në vitin 2007 thotë Transparency International, 224 zyrtarë u identifikuan si të përfshirë në korrupsion, 53 prej të cilëve u arrestuan dhe u ndoqën penalisht. Është bërë punë sistematike, thotë Transperancy International në pakësimin e korrupsionit në administrimin e taksave, prokurimet dhe shërbimet e biznesit, që kanë çuar në modernizimin e këtyre shërbimeve. Zbatimi i sistemeve elektronike për taksat, prokurimet dhe liçensimin e bizneseve kanë pakësuar mundësitë për abuzime.

Megjithatë duhet theksuar se të gjitha vendet e Ballkanit, pra edhe Shqipëria, arritën të radhiten nën pesë pikë në klasifikimin e Transparency International duke treguar qartë se përballen me nivele serioze të korrupsionit dhe janë larg standarteve të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Shqipëria radhitet e 85-ta nga 180 vendet e marra në studim. Në të njejtin klasifikim ndodhet edhe Serbia dhe Mali e Zi.

Kroacia, që shpreson të hyjë në BE në vitin 2010 morri 4, 4 pikë këtë vit në krahasim me 4,1 në 2007.

Përparim i ngjashëm është bërë në Maqedoni me 3,6 pikë këtë vit nga 3,3 vitin e kaluar. Bosnja është vendi që ka sprapsje duke marrë 3,2 pikë nga 3,3 pikë që kishte një vit më parë nga Transparency International.

Megjithë sfidat për Shqipërinë, përmirësimi i indeksit në luftën kundër korrupsionit si dhe klasifikimi i mirë i saj në raportin e fundit të Bankës Botërore për Lehtësinë e Biznesit, e bëjnë atë një kandidate të favorshme për të marrë vlerësime pozitive nga Llogaria Sfida e Mijëvjeçarit e cila bazohet, ndër të tjera, në këto dy raporte për dhënien e ndihmave. //rd//

XS
SM
MD
LG