Lidhje

SHBA paralajmëron Phenianin mbi rreziqet e programit bërthamor


Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Korenë e Veriut se plani i saj për të riaktivizuar centralin kryesor për përpunimin e lëndëve bërthamore nuk bën gjë tjetër veçse izolon edhe më thellë vendin.

Duke folur në një konferencë shtypi, Sekretaria e Shtetit Kondolisa Rajs i bëri thirrje Phenianit që të kthehet në tryezen e bisedimeve për arritjen e një marrëveshjeje mbi verifikimin e shkatërrimit të programit të saj bërthamor.

Po sot, një zëdhënëse e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike në Gjenevë tha se zyrtarët e Koresë së Veriut e informuan sot agjencinë, se inspektorët e saj nuk mund të zhvillojnë më kontrolle në reaktor. Pheniani po ashtu tha se shkencëtarët e vet kanë në plan të çojnë përsëri material bërthamor në reaktorin e Jong-bjonit, pjesërisht të çmontuar.

Zëdhënësja e Agjencisë tha se janë hequr edhe vulat e agjencisë në reaktor dhe se pajisjet e saj të vëzhgimit janë çmontuar.

Koreja e Veriut e filloi çmontimin e objektit të vet të Jongbjonit në kuadrin e marrëveshjes së arritur në bisedimet 6-palëshe. Vendi komunist e ndaloi çmontimin e objektit në gusht, pasi Washingtoni nuk pranoi ta heqë atë nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin. (ze)

XS
SM
MD
LG