Lidhje

Ushtria italiane në luftë kundër krimit


Kabineti italian ka dhënë miratimin për dislokimin e rreth 500 ushtarëve për një periudhë prej 3 muajsh për të luftuar krimin e organizuar në zonën e Napolit. Vendimi pason incidentin e javës së kaluar kur 6 imigrantë afrikanë u qëlluan për vdekje nga anëtarë të rrjetit kriminal Kamorra.

Qeveria italiane ka vendosur të angazhojë ushtrinë për të dytën herë brenda më pak se dy muajsh. Në gusht, filloi dislokimi i 3 mijë ushtarëve në pika strategjike në të gjithë Italinë për të përmirësuar sigurinë dhe për të luftuar krimin.

Kryeministri Silvio Berluskoni, i cili drejton një qeveri të qendrës së djathtë, u zotua të vendoste sigurinë në Itali gjatë fushatës zgjedhore në prill. Në përpjekje për të përmbushur premtimin, kabineti ka dhënë miratim që 500 ushtarë italianë të dërgohen për të luftuar krimin në rajonin e Napolit. Ushtarët do të dislokohen gjatë 3 muajve të ardhshëm.

Vendimi pason vrasjen të enjten e kaluar të 6 imigrantëve nga Gana, Togoja dhe Liberia në një incident që autoritetet e përshkruan si vepër e rrjetit kriminal Kamorra. Vrasjet u pasuan nga protesta të dhunshme në zonën e Napolit.

Viktimat u vranë me armë automatike, para një dyqani që shiste mallra etnike në Kastel Volturno, një qytezë me 22 mijë banorë rreth 30 kilometra në veri të Napolit. Vrasjet mendohet të ishin akt ndëshkimi për angazhimin e imigrantëve në tregtinë e drogës në një territor që konsiderohet si i paprekshëm për persona që nuk bëjnë pjesë në rrjetin Kamorra.

Kryetari i Bashkisë së Kastel Volturnos, Françesko Nuxo, e mirëpriti vendimin e qeverisë për të dislokuar trupa ushtarake:

"Ne ndeshemi me një gjendje të jashtëzakonshme dhe duhet të japim një përgjigje të fortë dhe efektive."

Ministri i Brendshëm i Italisë Roberto Maroni tha se do të takohej me Ministrin e Mbrojtjes Ignazio La Russa brenda pak ditësh për të përcaktuar parametrat e saktë të dislokimit të ushtarëve. Për momentin ata pritet të angazhohen në patrullimin e rrugëve të zonës dhe të kontrollojnë postblloqe në zonat që mendohet se janë nën kontrollin e Kamorrës. //ad//

XS
SM
MD
LG