Lidhje

Dita e dytë e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së


Presidenti i Afganistanit Hamit Karzai tha se rreziku më i madh për vendin e tij është terrorizmi ndërkombëtar.

Në komentet e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, zoti Karzai tha se gjatë vitit të fundit, vendi i tij është ndeshur me një sërë sfidash të vështira.

Presidenti i Afganistanit foli në ditën e dytë të punimeve një javore të Asamblesë së Përgjithshme.

Forcat terroriste, tha ai, i kanë shtuar ndjeshëm sulmet dhe sot lëvizin më lirisht në zonat ku strehohen. Ai tha se Afganistani ka përjetuar dhunën më të rëndë të kohëve të fundit, duke shtuar se terrorizmi është përhapur në rajon me shpejtësi.

Shpërthimi në ambasadën e Indisë në Kabul, sulmet në qytetet Bangalore dhe Ahmedabad në Indi, si dhe shpërthimi i të shtunës në hotelin Marriot në Islamabad, janë disa nga rastet më shqetësuese të përhapjes së terrorizmit.

Zoti Karzai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të dyfishojë përpjekjet për t’u dhënë mundësi institucioneve afgane të sigurisë kombëtare, të luanë një rol më të madh në luftën kundër terrorizmit.

Të martën, gjatë një takimi të vendeve aziatike, Presidenti Karzai propozoi krijimin e një grupi të përbashkët ushtarak me Shtetet e Bashkuara dhe Pakistanin, për të siguruar të dy anët kufirit midis Pakistanit dhe Afganistanit. (ze)

XS
SM
MD
LG