Lidhje

Presidenti Topi: Njohja e Kosovës është një proces hap pas hapi

  • Intervistoi: Konda

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, tha në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, se pavarësia e Kosovës është zhvillimi më i rëndësishëm në Ballkan në fillim të shekullit të 21. Presidenti Topi theksoi se një Kosovë e pavarur, e orjentuar drejt integrimeve euro-atlantike, është një investim i suksesshëm i komunitetit ndërkombëtar për paqe dhe stabilitetit në Ballkan. Presidenti Topi i bëri thirrje OKB-së, që ta pranojë Kosovën si një vend anëtar, sa më shpejt që të jetë e mundur. Zoti Topi ishte i ftuar për një intervistë të drejtpërdrejtë nga studioja e Zërit të Amerikës në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Zoti President Mirëmbrëma!

Presienti Bamir Topi: Mirëmbrëma!

Zëri i Amerikës: Zoti President, ndërsa ju bëtë thirrje që OKB-ja ta pranojë sa më shpejt Kosovën si vend anëtar, organizata ndërkombëtare po shqyrton kërkesën e Serbisë, që çështja e pavarësisë t’i kalojë për shqyrtim gjykatës ndërkombëtare. Nga qëndrimi i këtyre ditëve në Nju Jork, nga takimet që keni pasur atje, a keni krijuar një ide më të qartë, në se kjo kërkesë do të pranohet, apo jo nga Asambleja e Përgjithshme?

Presidenti Bamir Topi: Unë besoj që kërkesa e Serbisë për ta vënë në fokus çështjen e Kosovës, duket një kërkesë jashtë çdo lloj konteksti racional, ajo që unë kam ndjerë, jo vetëm në takimet që kam patur me homologë, kryesisht të rajonit të Ballkanit, por edhe me interlokutorë të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare, çështja e Kosovës është një çështje tashmë e konsoliduar, jo vetëm nga pikëpamja e njohjes, por edhe e projektimit të këtij vendi, të një shteti të ri në rajonin ballkanik, drejt sfidave të integrimit euroatlantik. Kështuqë që besoj, që kjo tentativë, apo ky inkursion i Serbisë për të rikthyer në vëmendje këtë çështje, e cila konsiderohet tashmë një çështje që ka filluar të dalë në plan të parë në axhendën e takimeve bilaterale të lidershipit kosovar, por edhe të pjesëmarrjes së Kosovës edhe në takime ndërkombëtare, besoj që ecën në një plan jo fort të pranueshëm nga pjesa më e madhe dhe e ndryshme e lidershipit politik botëror.

Zëri i Amerikës: Ju u shprehët, në fjalimin tuaj, po ju citoj, se “...Çdo ndërmarrje kundër forcimit të shtetit të Kosovës, politike, ekonomike, ushtarake apo diplomatike, nuk është veçse përpjekje e pashpresë kundër proceseve integruese në NATO dhe në Bashkimin Evropian të rajonit të Ballkanit....” A keni parasysh me këto qëndrime politikat e Rusisë ndaj Kosovës?

Presidenti Bamir Topi: Tashmë situata e konjukturës ndërkombëtare është e qartë, nuk ka më asnjë lloj iluzioni, që Rusia, në një lidhje të shkurtër me interesat e Serbisë, e ka kontestuar, vazhdon ta kontestojë dhe do ta kontestojë vazhdimisht çështjen e pavarësisë së Kosovës. Ne kemi thënë vazhdimisht, që Kosova është një rast “sui generis”, dhe kjo nuk është përdorur për retorikë, por ka një kontekst historik, një “background” historik, ka një situatë specifike juridike kushtetuese; dhe në të drejtën ndërkombëtare, po të shikojmë çështjen e Kosovës në kompleksitet, janë dashur mjaft vite që të vijmë deri në momentin kur Kosova u shpall një shtet i pavarur më 17 shkurt të vitit 2008. Asnjëherë përpjekjet që bëhen nga politika serbe, apo politika ruse, nuk sjellin në vëmendje, që ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999, ishte një ndërhyrje për të shpëtuar popullin e Kosovës nga genocidi i ushtruar në mes të ditës, nga “xhelati i Ballkanit”, Millosheviçi. Sot, jemi natyrisht vite mbrapa, jemi gati 10 vjet mbrapa; politika botërore ka filluar që ta njohë Kosovën, bile mendoj që edhe shtetet nga rajoni ballkanik, të cilat në mënyrë elokuente, nuk janë shprehur për të njohur pavarësinë e Kosovës, kanë dhënë të kuptojnë, që ato do të mbajnë një pozicion, sikurse mbajnë shtetet e Bashkimit Evropian, shtetet e NATO-s; kjo sepse sfidat e tyre integruese, natyrisht, i diktojnë ato, që të jenë sinergjiste në marrjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Unë mendoj që sot situata për Kosovën është e qartë çdo ditë, ndonëse sot kemi 47 vende që e kanë njojtur, është për t’u vënë në evidencë, që janë 22 vende mjaft të rëndësishme në arenën ndërkombëtare, mjaft të fuqishme, mjaft potente, qoftë nga pikëpamja politike dhe nga pikëpamja ekonomike që e kanë njohur dhe natyrisht, vendet e tjera, që janë në kuadrin e shumë vendeve të botës, besoj që gradualisht, hap pas hapi, falë edhe takimeve bilaterale, falë edhe interesave globale, janë të tilla, që krijojnë premisa që Kosova, patjetër do të njihet në një proces, hap pas hapi.

Zëri i Amerikës: Ju thatë dhe është një fakt i njohur tashmë, që Kosova është njohur nga 47 vende të botës, por ende dy nga fqinjët e saj, Maqedonia dhe Mali i Zi nuk e kanë njohur atë. Në takimet dy-palëshe që keni patur në Nju Jork, a keni patur rastin të bisedoni edhe me homologët tuaj nga vendet fqinje për këtë çështje?

Presidenti Bamir Topi: Natyrisht,me homologët e vendevefqinjë, ne mbajmë kontakte permanente, kemi patur takime pune, takime zyrtare, kemi shfrytëzuar takimet rajonale, qoftë edhe takimet në OKB. Unë kam rastin të them, që ka një predispozicion të dukshëm, aspak të fshehur, që këto vende dëshirojnë, që në sfidat e tyre të integrimit euroatlantik, dëshirojnë që t’i japin zgjidhje edhe çështjeve që kanë mbetur për t’u deklaruar. Nuk ka absolutisht, asnjë deklaratë eksplicide të këtyre vendeve për momentin, por si politikan, qoftë edhe politika e institucioneve tona, edhe politika ndërkombëtare, shikon tendencat dhe besoj që tendencat në këtë lloj konteksti që ju e shtruat pyetjen, janë mjaft pozitive. Unë shpresoj, që vendet e rajonit do të jenë koshiente që pavarësia e Kosovës, do të thotë stabilitet i këtij shteti të ri në Ballkan, që injekton stabilitet në të gjithë rajonin ballkanik. Sot fryma e stabilitetit në rajon është e tillë, që të imponon, jo vetëm marrëdhënie intensive dhe dialog intensiv politik, por të imponon marrëdhënie institucionale në të gjitha planet, duke e kthyer rajonin ballkanik në një rajon, ku investimet ekonomike janë ato që duhet të predominojnë. ...Dhe patjetër, stabiliteti i Kosovës, stabiliteti i Maqedonisë, stabiliteti i të gjitha vendeve të rajonit, i fut këto vende realisht dhe psikologjikisht, në sfidat e integrimit euroatlantik. Ne kemi takuar, vazhdojmë takohemi, dhe besoj që i takon këtyre vendeve, që të japin dhe një shembull të qartë, që edhe vende të tjera, që sot shprehin një lloj skepticizmi, një lloj dyshimi, ta kenë më të lehtë që të marrin zgjidhje dhe të shprehen për pavarësinë e Kosovës. Tashmë, kjo është një tendencë e qartë, pozitive; dhe unë kam bindjen, që njohja e Kosovës, në radhë të parë, do të vijë nga vendet e rajonit; ju keni parë, që ka patur mënyra alternative, për të lënë të kuptuar që ato e njohin Kosovën, sikurse ka qenë njohja e pasaportave të Kosovës, sikurse është pjesëmarrja në tavolina të përbashkëta dhe besoj që ky proces do të intensifikohet me kalimin e ditëve. Nuk besoj që do të jenë muaj, kur do të shohim, që edhe këto shtete do të prononcohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për këtë çështje, që ja imponon edhe realiteti rajonal, por ja imponon edhe konjuktura ndërkombëtare dhe partneriteti me partnerët strategjikë, të cilët, në mënyrë të qartë, që ditët e para, kanë bërë njohjen e Kosovës, si një shtet i ri sovran, i cili, më lejoni ta them tani, besoj që ka surprizuar edhe më skeptikët, përsa i përket dirigjimit dhe administrimit të pushtetit politik. Kemi parë një lidership kosovar, që në thelb, ka patur planin Ahtisari, ka patur çështjet e decentralizimit të pushtetit, marrjen në konsideratë të interesave të minoritetit, dhe besoj që klima në Kosovë sot konsiderohet relativisht e qetë. Sot ka një moment, kur të gjithë po e kërkojnë, po e kërkojmë edhe ne, që të shkojë përfundimisht transferimi i pushtetit nga UNMIK-u, tek EULEX-i, për të bërë të mundur që qetësia, që sot është në Kosovë, të kthehet në predispozicion për investime eknomike në Kosovë, ku edhe planet e institucioneve dhe të vendeve më të rëndësishme, janë që ta nxjerrin këtë vend përfundimisht nga kriza, dhe ta bëjnë pjesë të nismave rajonale për integrim, qoftë në BE, qoftë në NATO.

Zëri i Amerikës: Zoti President, Shqipëria ndodhet aktualisht në një periudhë të rëndësishme në historinë e saj, në përgatitjet për t’u anëtarësuar në organizmat euroatlantike. Këto përgatitje përfshijnë edhe plotësimin e disa kritereve, mes tyre një sistem drejtësie në nivelet e një shteti të zhvilluar. Kohët e fundit është hapur një debat lidhur me një projektligj për Prokurorinë e Përgjithshme. Ka patur kritika, mes tyre edhe shqetësimet e një diplomati amerikan, se disa momente të projektligjit mund të shihen si nje përpjekje për të venë nën trysni këtë institucion. A jeni të shqetësuar nga kjo situatë, apo nga përmbajtja e projektligjit?

Presidenti Bamir Topi: Fakti që në Shqipëri ka debat, kjo është një predispozitë pozitive. Kjo do të thotë, që në institucionet e Shqipërisë, ka një terren demokratik, ku debatohet. Bile, unë jam shprehur, se është shumë e rëndësishme, që gjëra të rëndësishme, që kanë të bëjnë me ndryshime kushtetuese, me ligje të rëndësishme që i takojnë sistemit të drejtësisë, detyrimisht, duhet të paraprihen nga një debat i gjerë politik, nga një debat i gjerë dhe i thellë profesional, nga një kombinim i interesave të politikës, që është ajo që merr vendime të rëndësishme, por edhe i grupeve të interesit, që janë nëpër institucione, që janë jashtë institucioneve, por janë patjetër të interesuara që çështjet, sidomos në sistemin e drejtësisë, të jenë të kopsitura mirë, të jenë ndryshime që bëhen në favor të forcimit të kësaj linje, në mënyrë që në Shqipëri, në mënyrë definitive, të kthehet në të gjithë elementët e vet, shteti i së drejtës, të merren në konsideratë interesat e qytetarit, të cilët kërkojnë më shumë drejtësi, të luftohet në mënyrë sistemike problemi mjaft problematik, do të thoja, i parë në vite, sikurse është ai i korrupsionit. Unë mendoj, se në Shqipëri po punohet mirë në dy linja: po punohet në linjën e debatit politik, të vendimmarrjes politike, por edhe një lloj autoreformimi brenda sistemit të drejtësisë, që natyrisht i takon Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjykatave dhe të gjitha grupeve të interesit. Është një proces transparent; unë uroj që ky proces të intensifikohet, sidomos në metodikën transparente që njerëzit shikojnë që ato do t’i përfaqësojnë. Në krye të gjykatave të jenë njerëz që dalin në mënyrë transparente përpara publikut; por mjaft e rëndësishme është, që këto gjëra të arrihen në kohë, sepse një nga standartet që kërkohet, qoftë në BE, qoftë në integrimin në NATO, padyshim është, që sistemi i drejtësisë, të dalë plotësisht në standartet që kërkohen nga vendet dhe partnerët tanë perëndimorë. Përsa i përket çështjes tjetër të rëndësishme që ka të bëjë me reformën elektorale, kam qenë vazhdimisht dhe besoj do të jem, katalizator i nxitjes së dialogut politik, në mënyrë që reforma elektorale, ndryshe nga retrospektiva, kur jemi mësuar që ajo të realizohet në minutat e fundit, para se të jetë momenti i zgjedhjeve, ajo të bëhet në kohë; dhe unë jam i besimit, që Komisioni Parlamentar i posaçëm, që është ngritur në Parlament për hartimin e një ligji zgjedhor, të marrë në konsideratë të gjitha interesat e shqiptarëve, të partive politike, në mënyrë që zgjedhjet të kemi mundësi t’i realizojmë në kohë, të përgatisim një infrastrukturë zgjedhore, kur edhe partitë politike të jenë në kohën e duhur për të bërë fushatën elektorale, edhe njerëzit të kenë kohë për të reflektuar, dhe më së fundi, të kemi mundësi, dhe unë jam i besimit, dhe kam bindje, që do të jetë e tillë, që zgjedhjet politike të vitit 2009 të jenë zgjedhje të lira, të ndershme, të denja, për një Shqipëri që kërkon të integrohet në Evropë, për një Shqipëri, e cila sot, është në momente shumë të rëndësishme të progresit, të institucioneve të ekonomisë dhe të shoqërisë. ...Dhe të kemi zgjedhje të pakontestuara, do të thotë që Shqipëria të futet pa asnjë lloj paragjykimi në këto struktura dhe të jetë plotësisht në standartet që kërkohet.

Zëri i Amerikës: Zoti Topi, ju falënderoj për intervistën.

Presidenti Bamir Topi: Edhe unë ju falënderoj pa masë. Urimet më të mira!

XS
SM
MD
LG