Lidhje

Presidenti Bush flet para vendit për krizën financiare


Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka ftuar dy kandidatët presidencialë dhe udhëheqjen e Kongresit në Shtëpinë e Bardhë me shpresë se mund të arrijë një marrëveshje për të ndihmuar sektorin financiar të vendit i cili është në krizë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Pola Ulfson, njofton se Presidenti i bëri thirrje publikut që të mbështesë planin për shpëtimin nga kriza gjatë një fjalimi të pazakontë drejtuar kombit mbrëmë.

Presidenti thotë se ekonomia është në rrezik dhe se duhet të merren masa.

"Ne ndodhemi në mes të një krize financiare dhe qeveria federale po reagon me vendosmëri".

Në një fjalim të rrallë mbrëmë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti u përpoq ta shpjegonte krizën e ndërlikuar financiare me fjalë të thjeshta. Ai tha se problemi me të cilin po përballet tani Uoll Striti, mund të arrijë në shtëpinë e çdo amerikani.

"Më shumë biznese mund të mbyllin dyert e tyre dhe miliona amerikanë mund të humbin vendet e punës. Edhe me një histori të mirë huamarrjesh, do të jetë më e vështirë të marrësh huatë që nevojiten për të blerë një makinë apo për të dërguar fëmijët në universitet. Dhe së fundi, vendi ynë mund të kalojë në një rënie ekonomike afatgjatë dhe të rëndë".

Deri kohët e fundit, presidenti Bush thoshte se ekonomia amerikane është e shëndoshë. Por tani, Shtëpia e Bardhë po përdor fjalë të tjera për të përshkruar gjendjen fiskale të Amerikës duke thënë se sistemi financiar është mjat i fortë për t'i rezistuar tronditjes së tanishme të tregut.

Por ilaçi për ekonominë e sëmurë do të ketë një çmim shumë të lartë. Administrata e Presidentit Bush kërkon që Kongresi të miratojë një paketë 700 miliard dollarësh për të blerë huatë e pashlyera që kanë tani institucionet e mëdha financiare.

Të gjithë pajtohen se diçka duhet bërë. Por shumë ligjvënës janë skeptikë të ndajnë mënjanë kaq shumë para për të ndihmuar kompanitë private. Ata shqetësohen gjithashtu t'i japin përgjegjësinë për shpërndarjen e fondeve vetëm një personi, sekretarit të thesarit Henri Polson.

Demokratët si Bred Sherman nga Kalifornia ankohen se paketa ndihmon shumë institucionet financiare në krizë, por jo qytetarët.

"E vetmja gjë e sigurt është që nëse e miratojmë këtë projektligj, Uoll Striti do të jetë i lumtur".

Megjithatë, kundërshtimi më i fortë duket se vjen nga konservatorët e politikave fiskale brenda vetë partisë së presidentit. Republikani Klif Sterns nga Florida është një prej tyre. Ai thotë se plani do t'i ekspozonte taksapaguesit amerikanë ndaj rreziqeve të mëdha financiare.

"Me këto që po bën qeveria federale po rrezikon paratë e fituara me mund të taksapaguesve për të mbrojtur kompanitë e sektorit privat të cilat përdorin strategji të shkujdesura investimesh pa menduar pasojat".

Nesër, Presidenti do të bëjë fushatë me dyer të mbyllura me planin e shpëtimit nga kriza financiare në Shtëpinë e Bardhë gjatë takimit me udhëheqësit e Kongresit dhe dy kandidatët presidencialë të dy partive të mëdha.

Demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekejn po u bëjnë thirrje kolegëve të tyre në legjislaturë ta trajtojnë çështjen duke lënë mënjanë dallimet partiake.

Në një deklaratë të pazakontë të përbashkët me shkrim të publikuar vetëm pak minuta para fjalimit të Presidentit Bush, ata thanë se të gjithë duhet të punojnë së bashku për të parandaluar një katastrofë ekonomike, siç u shprehën ata. //iç//

XS
SM
MD
LG