Megjithë krizën financiare që po trondit Shtetet e Bashkuara, disa
anëtarë të Kongresit amerikan gjetën kohën të presin ditën e mërkurë një grup prej 6
aktivistësh të shoqërisë civile nga Ballkani. Ata janë nga Kosova, Shqipëria,
Maqedonia dhe Mali i Zi; ndodhen këtu
për dy javë dhe shpresojnë të mësojnë se si funksionon shoqëria amerikane në
disa aspekte të rëndësishme të saj.
Programi administrohet nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe quhet Hope – Shpresa. Është shpresa që këta aktivistë pasi të kthehen në vendet e tyre të mund të zbatojnë atje njohuri që kanë marrë në Shtetet e Bashkuara – si funksionojnë bashkitë, administratat lokale, policia, zjarrfikësat, arsimi e deri te Kongresi.
"Kur pjesmarrësit e programit vijnë ne Uashington, ata
shikojnë se si funksion Kongresi, shikojnë demokracinë në veprim. Kur kthehen
në Kosovë ata ndihmojnë për të forcuar demokracinë atje," thotë anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot
Engel.
Për këtë qëllim, secili prej tyre shoqëroi dje gjatë gjithë ditës një anëtar të Kongresit.
"Pata rastin të jem në shoqërinë e kongresmenit Xhon
Bozman, i cili ishte nje kongresmen shume dinamik, shume energjik, shume i
suksesshëm." - thotë aktivisti Kosum Kosumi
"Kisha kënaqësinë e madhe të isha gjithë
ditën në shoqërinë e kongresmenit Erl Pomeroi, i cili është mbështëtës i madh i
Kosovës. Isha në dy votime të tij për dy ligje të ndryshme. pata gjithashtu
kënaqësinë të vizitoj Kapitol Hillin dhe të shikoj kupolën e tij të cilin jo
shumë njerëz kanë fatin ta shikojnë." - thotë Floriana Bajrami Rexha
Edhe për anëtarët e Kongresit është kënaqësi të bisedojnë me të ardhurit
nga Ballkani dhe të japin vlerësimet e tyre. Kongresmeni Erl Pomeroi nga Dakota
e Veriut, shpreh kënaqësinë që, sipas vëzhgimeve të tij, shteti i ri i Kosovës
nuk ka treguar asnjë shenjë largimi nga plani Ahtisari.
"Kosova, në këtë periudhë të fillimit, ka treguar se
është gati të bëhet një shtet i pavarur megjithë sfidat që ka patur përpara." - thotë ai
Aktivistët nga Ballkani erdhën në Kongres ndërkohë që ligjvënësit janë
mjaft të zënë me krizën financiare. Kongresmeni Pomeroi thotë se ky ishte një
rast i mirë për të reflektuar:
"Edhe demokraci të pjekura si SHBA, edhe vende të pasura
si SHBA kanë probleme. Ato janë të pashmangëshme. Çështja nuk shtrohet nëse ke
apo jo probleme por si i zgjidh këto probleme dhe kjo e dallon një vend nga të
tjerët." - thotë kongresmeni Pomeroi
Përsa i përket Kosovës, thotë ai, ajo i ka përballuar mjaft mirë
problemet e saj. //mm//