Lidhje

Rivalët presidencialë drejt Misisipit për debatin e parë


Të dy kandidatët në zgjedhjet presidenciale do të jenë sot në Misisipi për debatin e tyre të parë presidencial.

Zhvillimi i debatit u vu në pikëpyejte pasi kandidati republikan Xhon Mekein tha se nuk do të merrte pjesë në debat, nëse nuk miratohej më parë plani për të ndihmuar sektorin financiar.

Një deklaratë e fushatës së zotit Mekein sot bënte të ditur se është shënuar përparim i konsiderueshëm.

Para se të shkonte në debat, kandidati demokrat për president Barak Obama tha në komentet për shtyp se është bërë përparim real lidhur me planin e administratës.

Të dy kandidatët do të kthehen në Uashington pas debatit.

Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Xhorxh Bush, kandidatin demokrat për President Barak Obama dhe rivalin e tij republikan Xhon Mekein si dhe ligjvënës me influencë u bllokuan mbrëmë vonë.

Më pas, zoti Obama i tha rrjetit televiziv CNN se ishte i shqetësuar për mundësinë që përfshirja e debatit presidencial në negociata do të shkaktonte më shumë dëme se të mira.

Ndërkaq, ligjvënësit demokratë akuzuan zotin Mekein se e ka dëmtuar procesin dhe se po e shfrytëzon krizën për të fuqizuar fushatën e tij.

Nga ana e saj, fushata e zotit Mekein akuzoi demokratin Obama se e shndërroi takimin me rëndësi kritike në Shtëpinë e Bardhë në një arenë beteje politike.

XS
SM
MD
LG