Lidhje

SHBA: Debati i parë presidencial përqëndrohet tek ekonomia dhe politika e jashtme

  • Xhon Frai

Në debatin e parë presidencial para zgjedhjeve të nëntorit, demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekein u përplasën mbrëmë për çështjet e politikës së jashtme dhe ekonomisë. Të dy kandidatët fillimisht u përqëndruan tek plani i ri financiar i propozuar nga administrata e Presidentit Bush; secili prej tyre lanë të kuptohet se e mbështesin atë. Kandidatët kishin mendime të ndryshme lidhur me luftën në Irak dhe politikat që duhen ndjekur ndaj Iranit dhe Pakistanit.

Nuk ishte e qartë më parë, por u mor vesht vetëm disa orë para debatit, se senatori Xhon Mekein do të ngjitej në skenë, duke i dhënë dorën senatorit Barak Obama.

Dje para debatit, dy kandidatët shkuan në Washington, për bisedime në Shtëpinë e Bardhë, lidhur me krizën që kërcënon institucionet financiare kryesore dhe Wall Steetin.

Republikani Xhon Mekein, i cili në anketimet e fundit pati rënie, pati thënë paraprakisht se nuk do të merrte pjesë në debat, nëse Kongresi nuk binte dakord me planin e administratës për dhënien e 700 miliardë dollarëve për zbutjen e krizës financiare.

Të dy kandidatët theksuan gjatë debatit faktin se Amerika po kalon një krizë të rëndë ekonomike dhe lanë të kuptohet se do ta mbështesin në një farë mënyre planin e administratës. Kandidati demokrat Obama drejtoi me këtë rast kritika ndaj partisë së zotit Mekein.

“Ky është ndëshkimi i fundit ndaj politikave të dështimit ekonomik prej 8 vjetësh, të nxitura nga Xhorxh Bush dhe të mbështetura nga senatori Xhon Mekein”, - tha ai.

"Për herë të parë, pas një kohe të gjatë po shohim republikanët dhe demokratët të ulen së bashku, duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje", - tha zoti Mekein.

Kandidatët u përplasën për bindjet e tyre mbi luftën në Irak, për përfshirjen dhe kohën e qëndrimit të trupave amerikane atje. Zoti Mekein tha se dërgimi i trupave shtesë në Irak, një politikë që ai e mbështeti dhe senatori Obama jo, kishte patur sukses:

"Strategjia e re bëri që atje të ketë sukses. Por senatori Obama nuk e pranon që ne po e fitojmë luftën në Irak..."

"Në kohën kur filloi lufta, ju thatë se ajo do të përfundonte shpejt. Ju thatë se e dinit që në Irak kishte armë të shkatërrimit në masë. Dhe u gabuat, ju thanë se irakianët do t’ju prisnin si çlirimtarë, por nuk ndodhi kështu,"- tha zoti Obama.

Senatori Obama e lidhi kalimin e fokusit të administratës tek Iraku me Afganistanin, ku ai tha se adminsitrata dështoi ta kapte udhëheqësin e Al Kaidës Osama Bin Laden.

Në debatin e mbrëmshëm, që do të jetë i vetmi për çështje ndërkombëtare, kandidatët presidencialë u përqëndruan edhe tek Pakistani.

Ata debatuan nëse Islamabadi po lufton siç duhet kundër ekstremistëve islamikë. Gjatë javëve të fundit, zyrtarë pakistanezë i kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe forcat e NATO-s se kanë hedhur raketa në territorin e tyre.

Senatori Mekein e akuzoi senatorin Obama për naivitet, sepse ai pati thënë më parë se sulme të kësaj natyre kanë qenë të nevojshme.

"Kjo nuk duhet bërë, nuk thuhet me zë të lartë, nëse do të bësh diçka, kjo bëhet pa zhurmë, por duke bashkëpunuar me qeverinë pakistaneze."

"Pikërisht këtë kam thënë edhe unë, që nëse Shteteve të Bashkuara u del përpara Al kaida, Bin Ladeni, komandantë të rëndësishëm të Al Kaidës, dhe Pakistani nuk është i aftë, apo nuk do që t’i kapë, atëhere një gjë të tillë duhet ta bëjmë ne. Mendoj se kjo është strategjia që duhet ndjekur."

Për ndërhyrjen ruse në Gjeorgji, të dy kandidatët u përpoqën të thonë se do të tregoheshin të ashpër për këtë çështje.

"Një Rusi që ndërhyn në vendet e tjera përbën kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajon. Ndërhyrja ruse në Gjeorgji ishte e prapranueshme," - tha zoti Obama.

Ndërsa zoti Mekein tha se : "Rusia duhet ta kuptojë se ne do të mbështesim anëtarësimin e Gjeorgjisë dhe Ukrainës në NATO".

Të dy kandidatët ishin të një mendimi, se Irani nuk duhet lejuar që nga energjia bërthmaore, të prodhojë armë bërthamore.

Por zoti Mekein, përsëri vuri në pikëpyetje gjykimin e shprehur nga zoti Obama i cili ka ngritur idenë e bisedimeve me presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad. Zoti Mekein tha se ky do të ishte një hap naiv dhe i rrezikshëm. Por ja si iu përgjigj atij senatori Obama:

"Më quajtën naiv kur sugjerova se duhet të gjejmë mënyra për të vendosur kontakte me Iranin, por kohët e fundit presidenti Bush dërgoi diplomatin e lartë Bill Burns për të marrë pjesë në bisedimet me evropianët për çështjen e armëve bërthamore të Teheranit."

Kandidatët demokratë dhe republikanë do të zhvillojnë edhe dy debate të tjera para zgjedhjeve, që do të mbahen pas rreth 5 javëve. Kandidatët për nënpresident do të kenë vetëm një debat, dhe ai do të zhvillohet javën e ardhshme.//lk

XS
SM
MD
LG