Lidhje

Sekretarja Rajs dënon sulmin në Siri, ku u vranë 17 persona


Një makinë bombë shpërtheu në kryeqytetin e Sirisë, Damask, duke shkaktuar vdekjen e 17 vetëve dhe duke plagosur 14 të tjerë.

Bomba shpërtheu sot në rrugën që të çon në aeroportin pranë një udhëkryqi të ngarkuar, ku kalon një tjetër rrugë drejt një faltoreje për pelegrinë shiitë nga Iraku dhe Irani.

Media shtetërore siriane njofton se makina ishte e ngarkuar me 200 kilogramë lëndë plasëse.
Dëshmitarët thonë se shpërthimi shkatërroi 20 makina dhe theu xhamat e dritareve të dhjetëra ndërtesave aty pranë.

Ministri i Brendshëm i Sirisë, Gjeneral Basam Abdel Majid, e cilësoi shpërthimin si një akt frikacakësh dhe një sulm terrorist.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit e dënoi sulmin duke shtuar njëkohësisht se asnjë amerikan nuk ishte viktimë e këtij incidenti. Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs tha se sulmi ishte një akt shqetësues.//lk

XS
SM
MD
LG