Lidhje

Rusia propozon pakt të ri për sigurimin evropian


Ministri i Jashtëm i Rusisë ka propozuar krijimin e një pakti të ri për sigurinë evropiane, duke thënë se mekanizmat ekzistuese dështuan, kur u vunë në provë gjatë krizës në Kaukaz. Sergei Lavrov ishte një nga disa udhëheqës të huaj që folën dje gjatë seancës së posaçme të takimit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Për hollësi të ndjekim materialin që na dërgoi korrespondetja e Zërit të Amerikës në Nju Jork, Margaret Beshir.

Sergei Lavrov tha se kriza që shpërtheu në muajin gusht mes Rusisë dhe Gjeorgjisë për provinciat gjeorgjiane të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë tregoi se janë të nevojshme mekanizma të reja sigurie për gjithë shtetet.

"Ky është një proçes në të cilin duhet që të gjithë pjesëmarrësit të angazhohen në parimet bazë të ligjit ndërkombëtar, siç janë mospërdorimi i forcës dhe zgjidhja paqësore e konflikteve, sovraniteti, tërësia teritoriale dhe mosndërhyrja në punët e brendshme, si dhe kundërshtimi i forcimit të sigurisë së një shteti duke shkelur sigurinë e të tjerëve”.

Lavrov tha se një traktat i tillë duhet të integrohet në mënyrë të natyrshme në kuadrin ligjor të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe parimeve të saj të sigurisë kolektive.

Lidhur me komfliktit ushtarak mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, ministri i jashtëm rus tha se “ky problem është tashmë i mbyllur”, sepse Moska ka njohur pavarësinë e dy provincave separatiste proruse.

"Njohja e pavarësisë të Osetisë së Jugut dhe Abkazisë nga Rusia ishte masa e vetme e mundshme për të garantuar sigurinë e tyre dhe vetë mbijetesën e popujve të tyre”.

Sergei Lavrov tha gjithashtu se zbatimi i marrëveshjes së paqes të negociuar me ndërmjetësinë e Presidentit të Francës, Nikolas Sarkozi, do të ndihmojë në stabilizimin e gjendjes.

Shtetet e Bashkuara dhe disa vende evropiane janë të mendimit se Rusia e ka shkelur marrëveshjen, sepse forcat ruse nuk janë tërhequr plotësisht në pozicionet e tyre të parakonfliktit.

Po në sesionin e djeshëm, ministri i jashtëm i Azerbajxhanit, Elmar Mamadiarov, tha se kriza në Kaukaz ka qënë shqetësuese dhe theksoi se nxitja e konflikteve rajonale rrezikon paqen dhe sigurinë rajonale.

"Rasti i Gjeorgjisë provoi gjithashtu se konfliktet e ngrira në Gjeorgji, Ukrainë, Azerbajxhan dhe Moldavi, përfshirë konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për krahinën e Nagorno-Karabahut, mbeten një burim i madh instabiliteti dhe një regjim delikat armëpushimi nuk mund të shërbejë për vendosjen e paqes së qendrueshme dhe afatgjatë në rajon”.

Zëvendësministri i Koresë së Veriut për Punët e Jashtme, Pak Kil Jon, tha në fjalën e tij se çnuklearizimi i Gadishullit Korean është “direktiva e përjetshme” e Presidentit Kim Il Sung dhe Feniani i ka respektuar angazhimet e veta në kuadrin e bisedimeve gjashtë-palëshe.

Por në muajin gusht, Koreja e Veriut e ndërpreu punën për çmontimin e reaktorit bërthamor të Jongbjongut, duke thënë se Shtetet e Bashkuara nuk e kishin përmbushur premtimin e tyre për ta hequr atë nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin.

Uashingtoni thotë se do ta heqë Korenë e Veriut nga lista kur ajo të bjerë dakord për një program të verifikueshëm çmontimi.

Në seancën e djeshme të Asamblesë të Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara folën edhe ministra të vendeve arabe, Egjiptit, Omanit, Algjerisë, Tunizisë, Bahreinit, Sirisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Debati vjetor përfundon nesër dhe në këtë seancë të fundit do të flasin diplomatë nga Afrika e Jugut, Jordania, Etiopia dhe Nigeria.//iç//

XS
SM
MD
LG