Lidhje

Historia e debateve presidenciale


Debatet mes kandidatëve presidencialë janë bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme parazgjedhore. Temat që diskutohen në to janë më të debatueshmet dhe disa thonë se përmbajtja e këtyre debateve luan rol në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit. Debatet zhvillohen pasi partitë kanë emëruar kandidatët e tyre për president. Pas debatit të parë presidencial, që u zhvilluar të premten e kaluar, këtë të enjte, më 2 tetor, do të zhvillohet debati mes dy kandidatëve për nënpresident. Dy debatet e ardhshme presidenciale do të mbahen me 7 dhe më 15 tetor.


Në javët para zgjedhjeve të 4 nëntorit, kandidatët presidencialë të dy partive të mëdha ua parashtrojnë pikëpamjet e tyre votuesve në disa debate televizive. Megjithëse zgjedhjet po afrohen, ka ende votues të pavendosur në të dy anët. Shpesh janë pikërisht të pavarurit, që vendosin rezultatin e zgjedhjeve. Prandaj, debatet shihen si mjet i rëndësishëm për të arritur në Shtëpinë e Bardhë.

Deri në shtator, votuesit kanë rastin t'i shohin dhe t'i dëgjojnë kandidatët për muaj me radhë. Por fushatat zgjedhore janë zakonisht të mbushura me parulla dhe mesazhe. Debatet televizive janë, sipas strategut të marketingut për Partinë Demokrate Piter Fen, mjeti përmes të cilit votuesit mund të mësojnë hollësi rreth propozimeve të kandidatëve.

"Cinikët thonë 'mos po e teprojmë me politikë në këtë mënyrë? A nuk i kemi parë mjaft këta kandidatë?' Po, le t'i bëjmë atyre pyetjet e vështira. Le t'i nxjerrim në skenë dhe t'i shohim mirë."

Megjithëse këto përplasje të kandidatëve quhen debate, mënyra se si organizohen i ngjan më tepër një interviste. Profesoresha e studimeve qeveritare Kandis Nelson në Universitetin Amerikan e përshkruan këtë proces.

"Dy nga tre debatet presidenciale dhe debati nënpresidencial drejtohen nga i njëjti njeri, i cili i bën pyetje secilit kandidat. Kandidati tjetër ka rastin të reagojë pas përgjigjes së kandidatit të parë ndaj pyetjes së shtruar. Ideja është që, duke pasur një drejtues, ndiqet një mënyrë për ta kontrolluar debatin për t'u siguruar që pyetjet marrin përgjigjen e duhur dhe që koha është e barabartë për secilin kandidat, në mënyrë që asnjëri të mos ia mbyllë gojën tjetrit."

Dy debatet e para ndahen në çështje të politikës së jashtme dhe asaj të brëndshme. Debati i tretë ndryshon deri diku: qytetarët janë ata që bëjnë pyetjet për kandidatët.

Debatet televizive kanë qenë pjesë e të gjitha zgjedhjeve presidenciale që nga viti 1976. Por ishte debati televiziv i vitit 1960 mes senatorit demokrat Xhon Kenedi dhe nënpresidentit republikan Riçard Nikson ai që e vuri median në lëvizje. Profesori i Universitetit Xhons Hopkins Ben Ginsberg përshkruan se çfarë ka ndodhur.

"Në vitet 1960, anketat tregonin se nga njerëzit që kishin dëgjuar debatin mes Kenedit dhe Niksonit në radio, shumica mendonin se Niksoni kishte fituar. Ndërsa, njerëzit që e kishin parë atë në televizion mendonin se Kenedi kishte fituar. Kenedi kishte cilësitë e duhura për të dalë në televizor."

Një nga kandidatët që e përdori televizionin me sukses gjatë debateve ishte republikani Ronald Regan. Në vitin 1980, ai bëri një pyetje, për të cilën njerëzit thonë se e ndihmoi atë ta mundte rivalin e tij, presidentin demokrat Xhimi Karter.

"Mendoj se kur të vendosni kujt do t'ia jepni votën, do të ishte mirë ta pyesnit veten 'A jeni më mirë tani apo para katër vjetësh?", pyeti zoti Regan.

Me rritjen e ndikimit të televizionit dhe me kohën e shkurtër të mbetur për ta bërë elektoratin për vete, debatet u japin mundësi kandidatëve që të sulmojnë dhe të vetëmbrohen. Ja ç'thotë Kandis Nelson e Universitetit Amerikan.

"Qëllimi i secilit prej kandidatëve është që të bëjë një deklaratë të fortë gjatë debatit, e cila do të transmetohej shumë herë nga media."

E veçanërisht nëse rivali ngec keq para kameras.


XS
SM
MD
LG