Lidhje

Kriza financiare godet banka të tjera në SHBA dhe Evropë


Shtetet e Bashkuara dhe disa vende europiane po përpiqen të ndalin falimentimin e bankave të tjera të mëdha si pasojë e krizës financiare globale.

Zyrtarët amerikanë ndihmuan sot për të shpëtuar një nga bankat më të mëdha të vendit, duke thënë se falimentimi i saj do të kishte pasoja serioze mbi ekonominë.


Agjencia Federale për Sigurimin e Depozitave, FDIC, tha se banka në fjalë – Wachovia Corporation – ka pësuar humbje të ndjeshme në kreditë e dhëna prej saj që kapin 312 miliard dollarë. Në bazë të marrëveshjes të realizuar me ndërhyrjen e agjencisë FDIC, grupi financiar Citigroup do të marrë nën kontroll llogaritë e Wachovia-s dhe do të absorbojë borxhin e saj prej miliarda dollarësh.


Qeveria britanike njoftoi se do të nacionalizojë bankën Bradford and Bingley që jep kredi për prona të patundëshme duke marrë përsipër kredi shtëpish me një vlerë prej 75 miliard dollarësh. Sektori i kursimeve të kësaj banke, i cili ka llogari klientësh me një vlerë prej 40 miliard dollarësh, do t’i shitet firmës gjigande bankare spanjolle Santander.

Dje, Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda vunë në dispozicion më shumë se 16 miliard dollarë për gjigandin e financave dhe të sigurimeve Fortis, fitimet e të cilit kanë rënë ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. //rd//

XS
SM
MD
LG