Lidhje

Pasojat e krizës financiare në SHBA ndjehen nëpër botë


Shumica e tregjeve financiare në botë kanë pësuar rënie si pasojë e mos miratimit nga Dhoma e Përfaqësuesve të Kongresit amerikan të paketës financiare që kishte për qëllim të nxirrte nga krize institucionet financiare.

Tregjet e aksioneve në Japoni e Australi njoftuan për humbje prej më shumë se katër përqind, ndërsa bursa e Hong Kongut pati një ngritje modeste prej më pak se 1për qind.

Gjatë shkëmbimeve financiare të mesditës në Europë vetëm Londra arriti vlera më të larta, ndërsa tregjet amerikane bënë publike rritjet e para në treg pas humbjes së djeshme prej gati 7 për qind, humbja më e madhe në pikë në një ditë të vetme në historinë e tregjeve amerikane.

Sipas drejtuesit të lartë të firmës financiare Tajk Grup me seli në Hong Kong, Martin Haneke, investitorët në shumë vende po shqetësohen gjithnjë e më tepër.

"Ka shumë pasiguri në këto momente. Investitorët këtu janë munduar të marrin sa më shumë para kesh nga investimet e tyre dhe kanë pësuar humbje të mëdha.", - tha ai.

Më pak se një orë para se të hapej bursa amerikane në Uoll Strit, Presidenti Bush ripërsëriti nevojën që Kongresi të marrë masa për të parandaluar që kriza financiare të marrë përmasa edhe më të medha. Presidenti foli disa orë pasi udhëheqësit europianë u zotuan se do të ndihmonin homologët e tyre amerikanë për të shmangur vonesa të mëtejshme për t’i bërë ballë situatës.

Zonja Merkel tha se ajo dhe qeveria gjermane presin që paketa financiare amerikane të miratohet këtë javë dhe ajo e quajti paketën një parakusht kryesor për të rritur besimin tek tregjet financiare.

Ndërkaq, një zëdhënës i Komisionit të Bashkimit Evropian tha se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin përgjegjësinë për krizën dhe të sillen si udhëheqës për të shpëtuar veten, por edhe pjesën tjetër të botës.

E ndërsa administrata e presidentit Bush është ndjerë e detyruar që të nxjerrë nga kriza apo marrë nën kontroll institucione financare në krizë, dy banka belge kanë marrë fonde emergjente për të dalë nga kriza. Irlanda ka siguruar depozitat bankare, ndërsa banka qendore nëpër botë kanë hedhur shuma të mëdha në sistemet financiare në përgjigje të problemeve me dhënien e kreditë, të cilat mund të dëmtojnë rritjen ekonomike në të gjithë botën.

Sipas profesorit të Universitetit të Merilendit, Piter Moriçi situata do të përkeqësohet edhe më shumë nëse nuk do të ketë masa të menjëhershme.

"Papunësia në Amerika do të arrinte përqindje dyshifrore. Nëse nuk veprojmë do të shohim se çmimet e shtëpive do të vazhdojnë të qëndrojnë të ulëta, bankat do të falimentojnë, fondi i Sigurimit Federal të Depozitave do të shterojë dhe Kongresit do t’i duhet ta nxjerrë këtë të fundit nga kriza."- tha Profesori.

Udhëheqës të Kongresit amerikan janë zotuar, se do t'i vazhdojnë përpjekjet për të miratuar paketën financiare gjatë kësaj jave.//lk

XS
SM
MD
LG