Lidhje

Nju Jork Tajms: Kadareja, shkrimtari i madh shqiptar


Romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë, ka tërhequr vëmendjen e kritikëve të letërsisë në Shtetet e Bashkuara, pas ribotimit ditët e fundit në gjuhën angleze. Gazeta New York Times botonte sot artikullin “Një mision i errët në fushat me eshtra të Shqipërisë”, në të cilin vlerësohej lart jo vetëm ky roman, por edhe vepra e shkrimtarit të madh në përgjithësi. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Arcade, e cila ka sjellë edhe më parë vepra të shkrimtarit Kadare për publikun amerikan.

Botimi i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” është një rikthim në libraritë amerikane. Dick Seaver, shtëpia botuese e të cilit Arcade, nxjerr librin, sqaron arsyset.

“Ka dy arsye për ribotimin e ‘Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur’, së pari varianti i mëparshëm, kishte dalë jashtë qarkullimit prej shumë vjetësh dhe së dyti zoti Kadare nuk ishte plotësisht i kënaqur me përkthimin e atëhershëm. Edhe përkthimin e tanishëm ai e rishikoi dhe besoj se duhet të jetë i kënaqur me hedhjen në tregun amerikan të variantit të tanishëm”. Arcade ka botuar edhe më parë libra të Kadaresë, përfshirë “Pasuesin” dhe “Vajzën e Agamemnonit”.
“Ne kemi botuar të paktën 12 libra të Kadaresë dhe i kemi botuar veprat e tij me shumë besnikëri sepse besojmë se ai është një shkrimtar i madh botëror”.

Zoti Seaver thotë se vepra e Kadaresë nuk ka depërtuar akoma plotësisht në tregun amerikan, pasi siç shprehet ai lexuesit amerikanë kanë në përgjithësi paragjykime për shkrimtarët e huaj.

Por ndërsa publiku amerikan në përgjithësi mund të dojë ende kohë për t’u njohur me shkrimtarin e madh, vepra e zotit Kadare është jo vetëm e njohur por e vlerësuar jashtëzakonisht nga kritikët letrarë.

Njëri prej tyre është Richard Eder i gazetës New York Times.

“Bota e Ismail Kadaresë është një lloj anti-materie. Shkatërron tonën. Vetëm se ndryshe nga ç’ndodh me grimcat elementare në fizikë, bota e tij plotëson tonën duke lënë gjurmë të jashtëzakonshme”, shkruan ai.

Me këto fjalë e fillon shkrimi e tij për botimin në anglisht të romanit “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, Richard Eder i gazetës New York Times.

Më tej, autori që ka shkruar edhe më parë për librat e Ismail Kadaresë në faqet e New York Times-it, thotë se “të lexosh romanet e këtij shkrimtari të madh shqiptar, do të thotë të hysh në një makth ku ne nuk mund të banojmë, por që ne ndjejmë se e kemi brenda nesh”.

I ndërgjegjshëm mesa duket se përkufizimi “shkrimtar i madh shqiptar” mund t’i bëjë lexuesit të humbin interesin, kritiku Eder i Nju Jork Times-it sqaron se janë botët e vogla që përbëjnë atë të madhen si për shembull “Shoqëria e Fshatit e shkrimtares Jane Austen, Misisipi me Baltë i Mark Tueinit, Mança e Dremitur e Servantesit, madje edhe Ferri i Dantes është i populluar nga sherret e përgjakshme mes disa qyteteve-shtet të vogla”.

Shqipëria ka jetuar e izoluar, e varfër, aty ku marshimet dhe kundërmarshimet e Lindjes dhe Perëndimit e kanë shkelur pothuajse aksidentalisht, kryeneçe, me një kod të lashtë dhune hakmarrëse dhe gjakmarrjeje, vazhdon më tej kritika.

“Zoti Kadare na tërheq në këtë botë të çuditshme dhe ne dalim prej saj duke parë me habi veten”.

“Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” e realizon këtë përmbysje më hapur sesa romanet e mëvonshme të Kadaresë.

Duke vazhduar më tej, New York Times-i shkruan se në këtë vepër, hyrja e një perëndimi të përparuar në terrin shqiptar dhe shpërbërja e tij morale, është shprehur qartë në vetë rrëfimin e shkrimtarit.

Pasi jep një përmbledhje të shkurtër të fabulës së njohur të romanit, autori thotë se zoti Kadare nuk është nga ata që përcjellin mesazhe, por i sjell ato në jetë, në një jetë vdekjeprurëse. Duke përshkruar skenën e fuqishme pasi gjenerali vendos të marrë pjesë në dasëm, Eder thotë se “drama shpërthen si një britmë pas një heshtjeje të gjatë”.

Me të njëjtat tone shkruan edhe gazeta Boston Globe që e quan Kadarenë një shkrimtar me peshë globale, ndërsa Los Anxheles Times e krahason prozën e tij me realizmin magjik të Gabriel Garsia Markesit. //ii

XS
SM
MD
LG