Lidhje

Iv De Kermabon: “BE është kundër ndarjes së Kosovës”


Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë, Iv de Kermabon, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se është qëndrim i qartë i Bashkimit Evropian se nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. Në intervistën dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë Besim Abazi, zoti De Kermabon tha se EULEX-i është vetëm mision teknik dhe nuk është i lidhur me çështjen e statusit apo pavarësisë së Kosovës.

Zëri i Amerikës:Zoti De Kermabon, fundi i vjeshtës edhe më tej është në tryezë si afat kohor për funksionalizimin e EULEX-it në Kosovë. Duke pasur parasysh rrjedhën e deritashme të procesit dhe kundërshtimet e udhëheqësve serbë, a besoni në përmbushjen e këtij parashikimi?

Yves de Kermabon:Më lejoni të them fillimisht se për disa arsye që ju i dini mirë, vendosja e EULEX-it është shtyrë dhe ka arsye për këtë. Tash për tash vendosja e tij është në zhvillim e sipër. Kjo do të thotë pikësëpari se UNMIK-u është përgjegjës në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kosovës. Tash për tash EULEX-i nuk është duke vepruar. Unë mendoj se vendosja e EULEX-it mund të përfundojë në fund të vjeshtës sikundër e thatë. Sigurisht që do të jetë më e vështirë në disa zona sesa në disa të tjera. Dhe për ta bërë këtë duhet përmbushur jo vetëm aspekti teknik, por nevojitet edhe aspekti politik dhe kjo çështje duhet të diskutohet dhe është çështje e autoriteteve politike. Këto diskutime po zhvillohen ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë.

Zëri i Amerikës:Ku janë këto diskutime? A ka shpresë për të ndryshuar diçka në qendrimin e Beogradit kundruall EULEX-it?

Yves de Kermabon:Qëndrimi i Bashkimit Evropian është shumë i qartë që EULEX-i duhet të shtrihet në tërë Kosovën dhe nuk ka dyshim për këtë. Por, ne duhet të shpjegojmë se çfarë është EULEX-i sepse ka mjaft keqkuptime. Duhet t’i shpjegojmë popullatës së Kosovës, shqiptarëve, pakicave dhe serbëve po ashtu se EULEX-i është mision teknik për sundimin e ligjit, është në interes të popullatës për t’i siguruar qasje në polici e drejtësi dhe për të mbrojtur të drejtat individuale e pronësore. Dhe kjo është arsyeja pse unë jam i bindur se do të vendosemi në tërë Kosovën. Kjo mund të kërkojë më shumë kohë për të shpjeguar se çfarë është EULEX-i.

Zëri i Amerikës:Si mendoni t’i përcillni këto porosi, posaçërisht në pjesën veriore duke pasur parasysh se ata nuk kanë asnjë kontakt me ju?

Yves de Kermabon:Kam kontakte me popullatën serbe tash për tash kryesisht në pjesë të ndryshme në jug dhe është e vërtetë se nuk kam kontakte në veri përveç disa kontakteve joformale. Ajo që po përpiqem të bëj është t'i dërgoj këto porosi në radhë të parë nëpërmjet mjeteve të informimit, por edhe nëpërmjet disa kanaleve tjera nëpërmjet disa njerëzve që e dinë se çfarë është EULEX-i dhe po ashtu nëpërmjet kanaleve politike. Pra me qëllim që kur të shpjegojmë se çfarë është EULEX-i të arrijmë të vendosim këtë mision, sepse mendoj se ky është një proces i dobishëm për të gjithë dhe duke marrë parasysh gjendjen e tashme në veri të Kosovës dhe në përgjithësi gjendjen e popullsisë do të jetë shumë më mirë që të vendoset EULEX-i.

Zëri i Amerikës:Në pjesët e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb kemi përfaqësuesit politikë të zgjedhur në votimet e organizuara nga Serbia dhe përfaqësuesit e emëruar nga UNMIK-u. Cilët do të jenë kontaktet tuaja?

Yves de Kermabon:Si shef i Misionit të EULEX-it unë nuk jam përgjegjës për aspektet politike dhe kjo është çështje politike, prandaj mendoj se kjo është më mirë të debatohet me UNMIK-un dhe autoritetet politike. Sa më përket mua, jam i gatshëm të bisedoj me të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë me qëllim që t’i bind ata për rëndësinë e EULEX-it. Jam i gatshëm të bisedoj me popullatën serbe në Kosovë, por po ashtu, nëse është e nevojshme, të shkoj në Beograd, të flas me autoritetet serbe dhe t’u shpjegoj në aspektin teknik se çfarë mund të bëjë EULEX-i për popullatën serbe. Unë u bëj thirrje autoriteteve serbe që të punojnë me mua në interes të popullatës serbe në Kosovë.

Zëri i Amerikës:Presidenti i Serbisë Boris Tadic hodhi në tryezë idenë për mundësinë e ndarjes së Kosovës. Si e shihni këtë ide dhe a mund të ndodhë?

Yves de Kermabon:Unë nuk dua të gjykoj deklaratën e presidentit Tadic. Sa i përket qëndrimit të Bashkimit Evropian, mendoj se ndarja është jashte cdo diskutimi. Kjo është përsëritur shpesh nga zoti Solana dhe anëtarët e Bashkimit Evropian. EULEX-i duhet të shtrihet në tërë Kosovën dhe nuk mund t'i bej vleresime kësaj ideje të presidentit Tadic.

Zëri i Amerikës:Më herët keni thënë se misioni juaj është demonizuar në zonat e banuara me serbë. Si do ta tejkaloni këtë?

Yves de Kermabon:Nëse e kam thënë këtë kjo është për shkak të shumë njerëzve që nuk janë të gatshëm të pranojnë EULEX-in dhe është në interesin e tyre që ta demonizojnë EULEX-in. Dhe kjo është arsyeja pse unë sot po përpiqem të them të vërtetën dhe të shpjegoj se çfarë është EULEX-i. Ndoshta një nga arsyet pse është vështirë të bisedohet me popullatën serbe në veriun e Kosovës është fakti se ata nuk kanë një pasqyrë të saktë për EULEX-in por janë të vërshuar nga propaganda dhe demonizimi i EULEX-it, prandaj kemi nevojë të themi të vërtetën dhe të shpjegojmë se çfarë është EULEX-i. Ky është vetëm mision teknik dhe nuk është i lidhur me çështjen e statusit apo pavarësisë. Është vullnet i 27 anëtarëve të Bashkimit Evropian për të mbështetur popullatën e Kosovës në vendosjen e sundimit të ligjit në Kosovë. Për këtë arsye është në interes të të gjithëve për të pranuar EULEX-in dhe kur e shpjegon këtë njerëzit e kuptojnë shumë mirë dhe e kërkojnë vendosjen e EULEX-it në Kosovë.

Zëri i Amerikës:Thatë se misioni juaj është teknik. A do të thotë kjo se ju jeni neutral sa i përket statusit?

Yves de Kermabon:Kjo do të thotë se jemi këtu për të përmirësuar sundimin e ligjit. Do të thotë se ekspertë shumë të mirë që vijnë nga 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian sjellin këtu përvojën e për të ndihmuar popullatën e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit.

Zëri i Amerikës:Rezoluta 1244 është kuadri juaj ligjor. Kosova ka kushtetutën e saj. A e bën kjo më të vështirë punën tuaj dhe a ka pasur raste përplasjesh?

Yves de Kermabon:Baza ime ligjore është në radhë të parë rezoluta 1244 meqë ne veprojmë nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe vendimin e 27 vendeve anëtare për të zbatuar këtë mision në Kosovë. Me këto dy themele ligjore unë jam në pozitë të mirë për të punuar jo vetëm me qeverinë por edhe me tërë popullatën e Kosovës.

Zëri i Amerikës:Ju besoni në funksionalizimin e Misionit në tërë Kosovës. Cilat sfida prisni pas përmbushjes së këtij synimi, të themi në dhjetor?

Yves de Kermabon:Keni të drejtë. Fillimisht duhet të punojmë për vendosjen dhe kjo po ndodh. Unë jam optimist. Por sapo të vendosemi në duhet të përmbushim misionin që synon të mbështesë institucionet e drejtësisë dhe policisë në luftën e tyre kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është një sfidë e vështirë. Ne e dimë cila është gjendja dhe e dimë se me ekspertët tanë mund të sjellim një mbështetje të mirë për këto institucione. Por ne e dimë se do të jetë edhe e vështirë. Ne jemi këtu jo për ta bërë punën vete por për të mbështetur popullatën vendase për ta bërë atë. Kjo është pjesa kryesore e misionit tim. Është koncepti i vëzhgimit dhe i këshillimit, por kam edhe disa fuqi ekzekutive dhe jam i gatshëm t’i përdor ato nëse është e nevojshme. Nëse kjo mund të shmanget do të ishte e përsosur dhe kjo do të thoshte se institucionet janë të gatshme për të marrë përgjegjësitë, atëherë në do të përdorim këtë fuqi ekzekutive.

Zëri i Amerikës: A janë institucionet të gatshme?

Yves de Kermabon:Po, mendoj se janë të gatshme. Pak a shumë. Ndoshta mund të bëhen ca dallime ndërmjet institucioneve të ndryshme, drejtësisë, policisë e doganave. Për shembull, kam vizituar shkollën e policisë në Vushtrri dhe kam thënë se kjo është një histori suksesi. Mendoj se policia e Kosovës ka arritur për 9 vjet shkathtësi dhe përgjegjësi relativisht të mira. Ka ende hapësirë për përmirësime. Për drejtësinë është pak më vështirë dhe propozimi kryesor është që të rivendoset besimi, sepse kam pershtypjen qe popullata e Kosovës nuk ka shumë besim në drejtësinë. Ne po punojmë dhe do të bëjmë çfarë është e mundur për të përmirësuar këtë besim, për ta bërë më të frytshme drejtësinë në Kosovë.

Zëri i Amerikës:Zoti de Kermabon, Ju keni qenë edhe më parë në Kosovë si komandant i KFOR-it dhe tani jeni në krye të një misioni civil. Cilat janë ndryshimet dhe si ishte atëherë e si është tani?

Yves de Kermabon:Ka ndryshime në mënyrën e veprimit me siguri, sepse është ndryshe të jesh komandant i 18 mijë ushtarëve dhe të jesh shef i një misioni civil me gjykatës, policë e prokurorë. Por të dyja misionet kanë qëllim të njëjtë, të ruhet siguria dhe të përmirësohet sundimi i ligjit në Kosovë. Mendoj se të qenit komandant i KFOR-it dhe të njohësh popullatën dhe vendin është dicka që mund të më ndihmojë shumë në këtë mision. Sigurisht nuk jam ekspert i policisë, drejtësisë e doganave por ky nuk është kuptimi i misionit tim, i cili synon t’u krijojë ekspertëve kushte të mira për punë dhe për ta lidhur punën me autoritetet vendase. Për këtë arsye përvoja ime është mjaft e dobishme dhe besoj se kjo ishte arsyeja pse jam emëruar në këtë mision. //ii




XS
SM
MD
LG