Lidhje

Bugajski: Obama, Mekein politika të ngjashme për Ballkanin


Një analist i politikës së jashtme thotë se objektivat e kandidatëve presidencialë për Ballkanin janë të ngjashme. Janush Bugajski, drejtor i Projektit për Demokracitë e reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se si senatori demokrat Barak Obama, ashtu edhe ai republikan Xhon Mekein do të ndërtonin marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me aleatët evropianë në lidhje me sfidat që paraqet rajoni i Ballkanit.


Zoti Bugajski në përgjithësi nuk sheh shumë ndryshime në objektivat e politikës së jashtme të kandidatëve presidencialë. Kur bëhet fjalë për Evropën Jug-Lindore, dallimet janë edhe më minimale.

“(Senatori) Mekein e përmendi Bosnjën dhe Kosovën dhe ndërhyrjen ushtarake atje si një vendim të drejtë. Qëndrimi i (senatorit) Obama është shumë i ngjashëm. Pra që Kosova është e pavarur dhe që pavarësia duhet konsoliduar, që forcat e NATO-s dhe të Shteteve të Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbeten atje tani për tani”.

Zoti Bugajski përmend gjithashtu faktin se të dy kandidatët presidencialë janë në favor të futjes së të gjitha vendeve të Ballkanit në NATO.

“Nuk do të kemi ndonjë ndryshim dramatik politikash në këtë drejtim, cilido nga kandidatët të fitojë. Jo vetëm që ata nuk ndryshojnë shumë nga njëri tjetri, por nuk ka as ndonjë ndryshim të madh në krahasim me planin aktual të Presidentit Bush”.

Shtetet e Bashkuara luajtën një rol kyç për pavarësinë e Kosovës, e cila u shpall gjatë mandatit të Presidentit Bush. Po ashtu Shqipëria dhe Kroacia morën ftesa për anëtarësim në NATO. Megjithatë zoti Bugajski tërheq vëmendjen për një fakt.

“Mendoj se pavarësisht se cili kandidat do të fitojë, secili prej tyre ka më shumë njohuri për Evropën Qendrore dhe Juglindore sesa (Presidenti) Bush dhe ekipi i tij”.

Tek fushata e zotit Obama, kandidati për nënpresident Xho Bajden sjell një përvojë të gjatë angazhimi me çështjet e Ballkanit, përfshirë mbështetjen për pavarësinë e Kosovës dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ndërsa senatori Mekein e ka mbështetur si ndërhyrjen për largimin e forcave serbe nga Kosova dhe më vonë pavarësinë e saj.

Çdo angazhim amerikan në Ballkan nuk mund të kuptohet pa bashkpunimin me aleatët evropianë. Në këtë kuptim, zoti Bugajski thotë se me mbështetjen që zoti Obama gëzon jo vetëm tek politikanët por edhe tek publiku evropian, do të jetë e vështirë që ai të hasë ndonjë refuzim prej tyre. Por ai vë gjithashtu në dukje se edhe zoti Mekein shihet me sy të mirë nga evropianët dhe aspak si pasues i zotit Bush. Sesa ndikim do të ketë presidenti i ardhshëm amerikan do të shihet në pranverë, thotë zoti Bugajski .

“Prova e parë e madhe do të jetë takimi i nivelit të lartë i NATO-s. Nëse Uashingtoni, qoftë me President Obamën, apo Mekein këmbëngul për një plan anëtarësimi për Ukrainën dhe Gjeorgjinë, a do të bien dakord evropianët, apo jo?”

Dhe megjithëse Ballkani po kthehet gjithnjë e më shumë në një projekt evropian, zoti Bugajski thotë se Uashingtoni nuk do të heqë dorë nga angazhimi në atë rajon.

"Të dy kandidatët e kuptojnë sesa e rëndësishme është që Shtetet e Bashkuara të jenë të pranishme në Kosovë dhe në rajon, sa e rëndësishme është që NATO-ja të jetë e pranishme atje. (Kampi) Bondsteel për shembull mund të shndërrohet në një bazë të përhershme amerikane. Unë mendoj se do të ishte diçka pozitive”.

Mes sfidave të politikës së jashtme që e presin Presidentin e ardhshëm, janë angazhimi në Irak dhe Afganistan, procesi i paqes në Lindjen e Mesme, Irani dhe marrëdhëniet me Rusinë, që sidomos pas konfliktit me Gjeorgjinë janë kthyer në qendër të vëmendjes.

Por pavarësisht nga përgatitjet, siç ndodhi edhe me Presidentin Bush, pas 11 shtatorit 2001 prioritetet do të përcaktohen në fund të fundit vetëm nga realiteti i situatës globale. //kk//

XS
SM
MD
LG