Lidhje

Një vështrim agjencisë së hapësirës "NASA" në 50 vjetorin e krijimit


Më 1 tetor të vitit 1958, Agjencia amerikane e Hapësirës, NASA, hapi dyert për herë të parë. 50 vjet më vonë NASA vazhdon të ruajë interesin për eksplorimet hapësinore, sipërfaqje të reja dhe kufij të largët. Në vazhdim, një vështrim programit hapësinor të agjensisë NASA:

Plani i presidentit të ri amerikan Xhon Kenedi në vitin 1961, për të dërguar njeriun në hënë, u bë momenti përcaktues për garën në hapësirë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

“Ne kemi marrë vendimin për të shkuar në hënë këtë dekadë, jo sepse kjo është diçka e lehtë, por sepse është e vështirë,”- tha zoti Kenedi.

Por ajo që nxiti më shumë se çdo gjë tjetër, epokën e hapësirës ishte dërgimi i satelitit të parë të Bashkimit Sovjetik, Sputnik, në hapësirë në vitin 1957.

Menjëherë pas kësaj, agjensia NASA dërgoi satelitin e vet në hapësirë të quajtur "Explorer 1".

I vendosur për të vazhduar me programet e hapësirës, presidenti i atëhershëm amerikan Duajt Ajzenhauer hapi, në vitin 1958, agjencinë NASA, ose quajtur ndryshe, Agjencia Kombëtare Hapësinore dhe Aeronautike.

Gjashtë muaj më vonë, u bë publik programi tjetër Mërkuri gjatë të cilit shtatë amerikanë do ta çonin Amerikën në hapësirë. Astronautët e parë amerikanë iu prezantuan vendit më 9 prill 1959. Gjatë një interviste të dhënë para se të ndërronte jetë astronauti Ellën Shepërd foli mbi përvojën e tij:

“Natyrisht kjo ishte dita më e lumtur e jetës sime. Atë ditë ne u bashkuam për herë të parë si grupi i parë i astronautëve amerikanë”.

Ellën Shepërd ishte amerikani i parë që preku hapësirën më 5 maj 1961, një aventurë 15 minutëshe në një kapsulë pa dritare që mori emrin Liria 7.

Projekti "Merkuri" i përmbushi objektivat e tij më 20 shkurt 1962. Gjatë një fluturimi katër orësh e 55 minutash astronauti Xhon Glen i ra rreth e përqark tokës tre herë.


Projekti "Mërkuri" u pasua nga programi Binjakët, i cili kishte dy vetë në ekip dhe arriti tëkryente ecje në hapësirë dhe lëvizje orbitore. Pas këtij programi do të zhvillohej një tjetër akoma më ambicioz Apollo i cili kishte një ekip prej tre vetësh dhe kishte raketa më të fuqishme dhe module të hënës.

Vitet e Apollos sollën sukses dhe tragjedi. Në vitin 1967 tre astronautë humbën jetën pasi Apollo 1 mori flakë gjatë një testimi.

Që prej kësaj tragjedie agjencia u zotua për eksplorime hapësinore më të shpeshta.

Dhe në 20 korrik të vitit 1969 astronauti Nill Armstrong realizoi ëndrrën e presidentit Kenedi dhe qëllimin kryesor të programit.

“Ky ishte një hap i vogël për një njeri, por gjigand për njerëzimin”,- tha ai.

Që prej asaj dite, u zhvilluan edhe 6 misione të tjera Apollo në hënë të cilat përfunduan me Apollo 17 në vitin 1972.

Misionet në hënë i hapën rrugën një epoke të re bashkëpunimi në hapësirë. Në korrik të vitit 1975 anija ruse Sojuz dhe ajo amerikane Apollo u bashkuan në orbitë.

Kjo shënoi fundin e epokës së Apollos, por hapi një kapitull të ri për fluturimet në hapësirë të drejtuara nga dora e njeriut. Anija Kolumbia kreu fluturimin e saj të parë në vitin 1981. Flota e anijes ka dërguar shumë satelitë në hapësirë ashtu sikurse edhe Teleskopin Hapësinore Habëll. Zbulimet e fundit të teleskopit Habëll tërhoqën vemendjen e gjithë botës. Një mision përfundimtar do të kryhet këto ditë.

Por programi pati dy humbje të mëdha. Në janar të vitit 1986, anija Çellënxher shpërtheu 73 sekonda pasi ishte nisur duke shkaktuar vdekjen e të shtatë astronautëve në bord. Në shkurt të vitit 2003, anija Kolumbia u copëtua gjatë rihyrjes në atmosferë dhe shtatë astronautët në bord po kështu humbën jetën.

Programi i agjensisë "NASA" vazhdon megjithë vonesat. Ai ka dhënë një kontribut të madh për ndërtimin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, i cili është projekti më i rëndësishëm shkencor deri më tani.

NASA ka ndërmend ta tërheqë flotën e anijeve për vajtje ardhje në hapësirë në vitin 2010, por agjensia po punon ditë e natë për projektimin, ndërtimin dhe testimin e gjeneratës së re të anijeve të hapësirës që do ta çojnë njeriun në hënë dhe përtej.//lk

XS
SM
MD
LG