Lidhje

Senati amerikan miratoi planin e rishikuar për krizën financiare


Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi me 74 vota pro dhe 25 kundër planin prej 700 miliardë dollarësh për nxjerrjen e financave amerikane nga kriza. Projekt-ligji është një version i rishikuar i planit origjinal të propozuar nga Presidenti Bush, të cilin Dhoma e Përfaqësuesve e hodhi poshtë të hënën. Presidenti Bush tha se projekt-ligji është "esencial për sigurimin financiar të çdo amerikani" dhe i bëri thirrje Dhomës së Përfaqësuesve ta miratojë, me qëllim që ai t'i shkojë përfundimisht presidentit për firmë.

Senatorët votuan me shumicë dërmuese votash mbrëmë për versionin e rishikuar me 74 vota pro dhe 25 kundër, i cili do t'i parashtohet për votim Dhomës së Përfaqësuesve të premten. Versioni i parë i planit u hodh poshtë prej saj të hënën, duke shkaktuar rënin më të madhe ndonjëherë më parë në bursën amerikane brenda një dite.

Sipas këtij plani qeveria amerikane do të shpenzojë 700 miliardë dollarë për të blerë huatë e pashlyera e me këste të papaguara që janë dhënë nga institucinet financare amerikane.

Miratimi me lehtësi i planit në Senat ngjalli shpresa në administratën Bush dhe mes udhëheqësve të Kongresit se shumë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve që votuan kundër versionit fillestar të planit të hënën mund të ndryshojnë mendim të premten.

Megjithatë, propozimi nuk është popullor mes shumë taksapaguesve. Letrat, emejlet dhe telefonatat në zyratat e kongresistëve kundër planit kanë qënë të shumta. Ndërkohë që vendi është pranë zgjedhjeve për të gjitha vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe për një të tretën e vendeve në Senat, shumë ligjvënës kanë hezituar ta mbështesin planin për nxjerrjen e financave nga kriza.

Edhe disa senatorë që votuan për planin, si republikani Lindsi Graham i Karolinës së Jugut, tha se e bëri këtë me hezitim.

"Për mendimin tim ne kemi dy zgjedhje, një zgjedhje të keqe, të cilën të gjithë e kemi të qartë dhe një zgjedhje katastrofike, në qoftë se nuk marrim asnjë masë".

Shumë ligjvënës që votuan në favor të planit paralajmëruan për një katastrofë financiare, në qoftë se plani i shpëtimit hidhet poshtë përsëri nga Dhoma e Përfaqësuesve. Senatori Çak Shumer i Nju Jorkut tha se mosmiratimi i planit do të ishte ekuivalenti financiar i një infarkti.

"Sistemi ynë ekonomik është në gjendje të rëndë pasi arterjet e tij, sistemi financiar, është i bllokuar dhe kjo do të shkaktojë infarkt, ndoshta brenda një dite, ndoshta brenda gjashtë muajsh, por ne do të kemi një goditje në zemër në qoftë se nuk veprojmë".

Të dy kandidatët presidencialë e lanë fushatën dje për të ardhur në Uashington që të votonin për planin. Demokrati nga Illinoi, Barak Obama, tha në Senat se një disfatë e dytë për këtë plan do t'i prekte të gjithë amerikanët pa përjashtim.

"Kjo do të thoshte se bizneset nuk do të ishin në gjendje të merrnin huatë e nevojshme për të hapur fabrika të reja ose për të paguar punëtorët. Dhe në qoftë se ato nuk do të kenë para për të paguar punëtorët të premten, atëhere ata do të mbeten pa punë të hënën. Dhe në qoftë se punëtorët lihen pa punë të hënën, ata nuk mund të paguajë faturat dhe as huata që kanë marë diku. Dhe kjo do të shkonte hallkë pas hallke duke përfshirë gjithë ekonominë".

Më herët dje, kandidati republikan, Xhon Mekein nga Arizona, paralajmëroi për pasoja të rënda nëse plani i rishikuar nuk miratohej.

"Në qoftë se plani i shpëtimit nuk miratohet përsëri nga Kongresi kriza e tanishme do të kthehej në një goditje shkatërrimtare".

Senatori republikan nga Alabama, Riçard Shelbi, votoi kundër propozimit sepse ai mendon se duhet të ketë një alternativë më të mirë.

"Shumë senatorë këtu i qetësoi idea se diçka është më e mirë se asgjë. Për mendimin tim kjo është një zgjedhje falso. Zgjedhja që ne kemi përballë është mes një përgjigjeje të studjuar dhe panikut. Mendoj se ne zgjodhëm panikun".

Versioni i ri thuhet se po fiton mbështetje në Dhomën e Përfaqësuesve, pjesërisht në saje të amendamenteve për shkurtimin me 100 miliardë dollarë të taksave të bizneseve dhe të familjeve të shtresës së mesme, si dhe për shtimin depozitave të siguruara bankare nga 100 mijë në 250 mijë dollarë. Në qoftë se Dhoma e Përfaqësuesve e miraton planin e shpërtimit financiar, ai do t'i shkojë Presidentit Bush për firmë. //iç//

XS
SM
MD
LG