Lidhje

Admirali Di Paola: Pranimi i Shqipërisë në NATO do ndikojë në sigurinë e rajonit


Një ushtarak i lartë i NATO-s tha sot në Tiranë se shumë shpejt Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance. Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Gianpaolo Di Paola, thotë se antarësimi i Shqipërisë do të ndikojë në sigurinë dhe begatinë e rajonit.

"Mbështetja që Shqipëria po i ofron Aleancës ka një rëndësi të madhe për NATO-n dhe ne presim që Shqipëria të bëhet anëtare me të drejta të plota e NATO-s në samitin e ardhshëm në vitin 2009", tha zyrtari.

Ai tha se "ky antarësim është para së gjithash një vlerësim për popullin shqiptar, për Shqipërinë, qeverinë shqiptare dhe për punën e madhe që ky vend ka bërë për të qenë një anëtar i respektuar i komunitetit ndërkombëtar dhe një anëtar i ardhshëm i NATO-s".

Admirali Di Paola tha se Shqipëria po mbështet NATO-n në shumë operacione, jo vetëm NATO-n, por edhe disa misione të BE-së dhe pas anëtarësimit kontributi i saj do të jetë edhe më i madh.

Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Gianpaolo Di Paola, u takua në Tiranë me presidentine Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, dhe drejtuesit e lartë të ushtrisë. Shqipëria ka marrë një ftesë për antarësim të plotë dhe po punon për të plotësuar kriteret e antarësimit së bashku me Kroacinë.//lk

XS
SM
MD
LG