Lidhje

SHBA: Sonte, debati i shumëpritur i kandidatëve për nënpresident


Sonte zhvillohet debati i shumëpritur dhe i vetëm i kandidatëve për nënpresident, Senatorit demokrat Xhozef Bajden dhe kandidates republikane, guvernatore e Alaskës, Sarah Pejlin. Gjendja ekonomike pritet të zerë një vend të rëndësishëm në debatin që zhvillohet në Saint Luis të Mizurit dhe sidomos vëmendja do të jetë e përqëndruar tek zonja Pejlin, e cila është relativisht e re në skenën politike të vendit.

Zgjedhja e zonjës Pejlin si kandidate për nënpresidente nga kandidati republikan Xhon Mekein i ka gjallëruar elementët konservatorë brenda partisë së zoti Mekein, por kritikët shtrojnë pyetjen në se ajo ka përvojën e duhur për të qenë nënpresidente. Zoti Mekein i doli në mbrojtje zonjës Pejlin në një intervistë që dha sot për CNN-in dhe shprehu besimin për “eksperiencën, talentin dhe udhëheqjen” e zonjës Pejlin.

Në debatin e sotëm, zonja Pejlin do të ndeshet me senatorin Xhozef Bajden, i cili ka përvojë në Washington, por është i njohur njëkohësisht për gafat në fjalimet e tij. Kandidati demokrat për president, Barak Obama, shprehu sot besimin se senatori Biden do të flasë shumë mirë, siç u shpreh ai.//lk

XS
SM
MD
LG