Lidhje

Mekein, Obama zotohen se angazhimi amerikan në Evropën Juglindore do të vazhdojë


Dy këshilltarë të lartë për politikën e jashtme të dy kandidatëve Barak Obama dhe Xhon Mekein, theksuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara edhe në rajonin e Evropës Juglindore, për të çuar më tej përparimet e arritura në këtë pjesë të botës.


Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara do të vazhdojë të njejtin anagazhim për demokratizimin dhe përparimin e Evropës Juglindore, pavarësisht nëse emri i tij do të jetë Xhon Mekein, apo Barak Obama. Këshilltarët e lartë të dy kandidatëve folën në Uashington për politikën e jashtme që dy kandidatët do të kenë për rajonin e Evropës Juglindore.

Philip Gordon, këshilltar i kandidatit demokrat Barak Obama, i tha Zërit të Amerikës se Senatori Obama do të vazhdojë angazhimin amerikan, që në 20 vjetët e fundit, ka ndihmuar për stabilitetin, demokracinë dhe begatinë e këtij rajoni.

"Senatori Obama ka bindjen e plotë që ky proces duhet të vazhdojë me Evropën Juglindore. Formula është e njohur. Angazhimi amerikan, marrëdhëniet paqësore mes fqinjëve çojnë në qëndrueshmëri dhe demokraci. Prandaj këtu duhet të vazhdojmë të përqendrohemi edhe për Evropën Juglindore".

Kori Shaki, këshilltare e lartë për politikën e jashtme në fushatën e zotit Mekein, thekson se për senatorin është shumë i rëndësishëm forcimi i institucioneve dhe shtetit ligjor në demokracitë e reja.

"Kjo ka rëndësi jo vetëm për vetë këto vende, për qeverisjen e mirë, por nga kjo varet edhe vullneti i vendeve të tjera për t'u shndërruar në aleatë, për t'u angazhuar për mbrojtjen e njëri-tjetrit".

Të dy kandidatët, si senatori Mekein edhe Obama e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Këshilltari i zotit Obama, theksoi se Kosova nuk duhet të shërbejë si precedent.

"Senatori Obama e pranon dhe e mbështet pavarësinë e Kosovës. Ishte një situatë e ndërlikuar, ku nuk kishte alternativë tjetër. Nuk duhet të përbëjë precedent, por në rrethanat e krijuara, Kosova e meritonte të njihej".

Zoti Gordon thotë se çdo hap për ta vënë një gjë të tillë në diskutim, minon stabilitetin, nuk e konsolidon atë.

"Kështuqë procesi i paraqitjes së kësaj çështjeje në Kombet e Bashkuara, ose në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, rrezikon qëndrueshmërinë. Unë mendoj se vëmendja duhet në futjen e këtyre vendeve në institucionet evropiane".

Këshilltarja e zotin Mekein e sheh me optimizëm të ardhmen e rajonit.

"Zgjedhjet e fundit në Serbi tregojnë se ky vend ka hyrë në rrugën e ndryshimeve. Shndërrimi i Serbisë në një vend demokratik dhe fqinj i fortë, i qëndrueshëm, i besueshëm dhe i begatë për vendet e tjera të Ballkanit, do të ishte diçka pozitive."

Dy këshilltarët i bënë komentet në një forum për perspektivën e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Evopën Qendrore dhe Lindore. //kk//

XS
SM
MD
LG