Lidhje

Ollbrajt-Uollstrom, dialog mbi të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-BE

  • Laura Konda
  • Uashington

"Këshilla për Presidentin e ardhshëm amerikan për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian", ishte tema e një dialogu të organizuar dje në Insitutin "Aspen" në Uashington. Të ftuara në debat ishin ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeline Ollbrajt dhe Nënpresidentja e Komisionit Evropian, Margot Wallstrom:

Kur na ndan vetëm një muaj nga zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, vëmendja e publikut jo vetëm brenda Amerikës, por edhe e atij botëror, është përqëndruar mes të tjerash, edhe tek politika e jashtme e administratës se ardhshme amerikane. Marrëdhëniet me Bashkimin Evropian zenë një vend të veçantë në politikën amerikane.

Ish-sekretarja e Shtetit Madeline Ollbrajt i cilësoi ato "të rëndësishme, të nevojshme", por njëkohësisht "jo të thjeshta", madje shpeshherë "të vështira".

"Populli amerikan ka një ndjenjë miqësie dhe prirje të natyrshme për të bashkëpunuar me evropianët. Mendoj se ne duhet ta nxisim më tej këtë ndjenjë dhe në shumicën e rasteve ne kemi patur mirëkuptim."- tha zonja Albright. "Megjithatë, ka disa çështje, për të cilat Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja nuk kanë qenë kurdoherë dakord, si psh për çështje të tregtisë mes të dy palëve, apo kur është fjala për ndihmën e evropianëve, në Irak, në Afganistan, apo për operacionet paqeruajëse në vende të tjera të botës."

Zonja Albright është e mendimit se mes amerikanëve ekziston një ndjenjë, se evropianët duhet të bëjnë më tepër, duke dhënë më shumë kontribut në këto operacione.

Nënpresidentja e Komisionit Evropian, Margot Wallstrom pranon se mes evropianëve ekziston një ndjenjë lodhjeje, edhe për shkak të Kushtetutës, e cila nuk është ratifikuar ende nga të gjitha vendet anëtare, por shprehu besimin, se me t'u arritur kjo, Evropa do të ketë një angazhim unik për bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, me të cilat ka synime të përbashkëta, në përpjekjet për një zhvillim paqësor, të begatë në botë dhe në forcimin e demokracisë dhe të drejtave e njeriut :

"Fatmirësisht, ne kemi mbështetjet e popujve nga të dyja anët e Atlantikut për thellimin e kontakteve tona dhe këtë e tregojnë edhe anketimet e fundit. Ne ndjehemi aleatë me amerikanët, edhe pse kohët e fundit kemi patur opinione të ndryshme."

...Këto opinione, sipas zonjës Wallstrom, kanë të bëjnë me masat që duhen marrë ndaj ngrohjes globale, si dhe kur është fjala për politikat, duke e karakterizuar Amerikën si një fuqi që bazohet tek forca ushtarake dhe Evropën, si një fuqi që anon më tepër nga diplomacia.

Si zonja Ollbrajt, edhe Nënpresidentja Wallstrom i sugjeruan Presidentit të ardhshëm amerikan një bashkëpunim të ngushtë me BE-në për çështje globale, si lufta kundër terrorizmit botëror, kriza financiare, qëndrimi ndaj Rusisë, apo dipomacia publike.

Kur është fjala për preferencat evropiane për presidentin e ardhshëm amerikan, Nënpresidentja e Komisionit Evropian nuk u shpreh për ndonjërin prej kandidatëve. Por zonja Ollbrajt tha se preferenca e Evropës anon nga zoti Obama, pikërisht ngaqë ai thekson nevojën për diplomaci në bashkëpunim me evropianët, kur është fjala për zgjidhjen e problemeve globale, ndryshe nga administrata aktuale e cila sipas saj, është përpjekur në vendosjen e demokracisë në botë permes politikave imponuese.

Pas debatit, të dy folëset dhanë një konferencë për shtyp, ku i pyetëm për sugjerimet që kanë ndaj Presidentit të ardhshëm për politikat ndaj Ballkanit. Zonja Wallstron tha se shpreson që Amerika do të vazhdojë të jetë aleatja e Evropës në zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshet Ballkani:

"Çdo ditë ne përpiqemi të trajtojmë sfidat me të cilat ndeshet Ballkani. Ne kemi një procedure, tashmë të përcaktuar për identifikimin e vendeve kandidate."

Zëri i Amerikës: Po në lidhje me Kosovën?

Margot Wollstrom: "... Duke përfshirë edhe Kosovën, ne jemi të angazhuar në një dialog me Shtetet e Bashkuara edhe për çështjen Kosovës."

Madeline Ollbrajt: "Gjatë administrates së Presidentit Klinton ne thamë se Ballkani ishte çështja e fundit e pazgjidhur e Evropës, ne kemi dashur që Kosova të njihet nga vende të tjera, ndërsa për Serbinë, kemi thënë se është mirë që ajo të bëhet pjesë e Evropës… ashtu sikurse edhe vende të tjera të Ballkanit, sepse serbët meritojnë një jetë më të mirë pas sundimit të Millosheviçit."

Zonja Ollbrajt tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin atë çfarë është e mirë për Ballkanin, që të jetë një pjesë aktive e Evropës.

XS
SM
MD
LG