Lidhje

SHBA: Ndikimi i krizës financiare në pjesë të ndryshme të vendit


Problemet me huatë e shtëpive që çuan në krizën e tanishme financiare amerikane nuk kanë patur një ndikim të thellë në pjesën qëndrore të vendit ashtu siç kanë prekur rajonet lindore dhe ato perendimore të Amerikës. Por ekonomistët thonë se ngushtimi i kreditimit do të prekë të gjitha rajonet e vendit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus nga Hjustoni, edhe një ekonomi e si ajo e Teksasit, e ndihmuar nga rritja e madhe e sektorit të energjisë nuk është imune.

Kur çmimet e shtëpive u rritën në pjesë të tjera të vendit, qytete si Hjustoni në Teksas patën vetëm një rritje modeste. Kështu që kur çmimet filluan të bien ndjeshëm kudo, njerëzit atje nuk u shqetësuan. Por ngushtimi i kreditimit në përgjithësi po ndikon edhe mbi ta.

Disa ndërtues kanë mbyllur bizneset pasi nuk mund të marrin kredi të mjaftueshme për të vazhduar projektet. Situata shqetëson pronarët e bizneseve të vogla si Linda Heckman, e cila ka një dyqan dhuratash në rrethinat e Hjustonit.

"Përdor kartën e kreditit për të blerë mallra për dyqanin. Në se nuk e bëj dot këtë, nuk do të blejë dot furnizime".

Ajo thotë se një ngadalësim ekonomik do të ndikonte klientët e saj dhe do të pakësonte shitjet. Një tjetër amerikan që e shikon me kujdes situatën është Barton Smith, ekonomist në Universitetin e Hjustonit i cili jep disa parashikime për ekonominë e qytetit.

"Çmimet e shtëpive në Hjuston nuk kanë ndryshuar. Kjo është më mirë se po të binin 15 apo 20 përqind, si në shumë zona urbane të Shteteve të Bashkuara. Kështu që jemi në situatë më të mirë por nuk mund të themi se jemi totalisht të paprekshëm. Ne po shohim tashmë raporte në rritje se bizneset në Hjuston kanë vështirësi për të patur të njëjtë nivel kreditimi për të vazhduar aktivitetet e tyre".

Zoti Smith thotë se çmimet në rritje të naftës gjatë viteve të fundit, të cilat ndihmuan në ngadalësimin në përgjithësi të ekonomisë, kanë patur deri tani një ndikim pozitiv në Hjuston ku ndodhen shumë kompani të naftës dhe gazit, si dhe kompanitë e shërbimeve të energjisë.

Çmimet e naftës për një fuçi kanë rënë gjatë muajve të fundit me rreth 40 dollarë, megjithëse janë ende sa dyfishi i çmimit pak vjetë më parë. Por një ngadalësim afatgjatë i ekonomisë mund të pakësojë kërkesën për energji dhe çmimin e naftës. Ekonomistja në Universitetin Rice, Barbara Ostdiek thotë se kjo mund të dëmtojë Hjustonin.

"Në se ngadalësimi në ekonominë globale ul çmimet e naftës atëherë me siguri do të presësh që kjo të ndikojë në ekonominë e Hjustonit. Por nuk duhet të mendojmë se kjo do të jetë shkatërrimtare për ekonominë".

Zonja Ostdiek thotë se industria e energjisë ka të ngjarë të mbetet e fuqishme në Hjuston edhe në se çmimet e naftës bien.

Në një farë mënyre, thotë zonja Ostdiek, problemi i kredive të shtëpive arriti kulmin meqë ishin vendet e tjera si Kina që blenë shumë nga intrumentat financiare në Shtetet e Bashkuara dhe që ndihmuan që ky sistem të ecte.

"Për njëfarë kohe, ne ishim në gjendje të konsumonim përtej mundësive dhe këto u financuan nga pjesa tjetër e botës. Ajo që po shohim tani nuk është e këndshme, por e nevojshme, ajo që po ndodh është nivelimi i kësaj disbalance të madhe globale".

Për këtë arsye, zonja Ostdiek është mes shumë ekonomistëve në vend që favorizojnë ndërhyrjen e qeverisë për të rritur besimin në bankat dhe sistemin e kreditimit. //iç//

XS
SM
MD
LG