Lidhje

Obama, Mekejn reagojnë ndaj miratimit të planit për ndihmën financiare


Kandidatët presidencialë reaguan menjëherë pas miratimit të paketës prej 700 miliardë dollarësh në ndihmë të sektorit financiar. Në komentet për median, në Flagstaf të Arizonës, Senatori Xhon Mekein, kandidati republikan në zgjedhje, foli për rolin e tij në nxitjen e miratimit të paketës në Kongres. Një javë më parë ai ndryshoi planet e fushatës për t’i lejuar vetes kohë të shkonte në Uashington për të diskutuar me ligjvënësit për paketën.

"Paketa e ndihmave nuk është e përsosur, në fakt është revoltues fakti që na nevojitet një paketë e tillë, por duhet të ndalim dëmin që po i shkaktohet ekonominë nga praktikat e korruptuara dhe inkompetente të Uoll Stritit dhe Uashingtonit. Miratimi nga Kongresi është thjesht një masë parandaluese por jo një zgjidhje e përhershme."

Senatori Mekein u përpoq të vërë përsëri theksin tek dallimet mes tij dhe kandidatit demokrat Obama, duke theksuar se plani i tij garanton një qëndrueshmëri ekonomike:

Uashingtoni vazhdon të ecë në kursin e gabuar. Kemi përpara një zgjedhje të rëndësishme, mund të ndjekim rrugën e rritjes së taksave që reduktojnë vendet e punës, politikat partiake dhe shpenzimet pa kriter që parashtron si zgjidhje Senatori Obama, ose mund të reformojmë Uashingtonin. Unë synoj të reformoj Uashingtonin, ta vë qeverinë në funksion të së mirës së familjeve punëtore, të trajnoj krahun e punës, të siguroj pavarësinë energjetike për vendin dhe të vë në zbatim politika për të kufizuar shpenzimet qeveritare.

Miratimi i paketës të premten nga Kongresi përmbyll 2 javë trazirash në Kongres dhe Uoll Strit, të karakterizuara nga paralajmërime të përditshme se vendi përballej me krizën më të rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh i viteve ’30, nëse Kongresi nuk vepronte.

Ndërkaq, në Pensilvani, edhe kandidati demokrat Barak Obama, u bëri jehonë komenteve të rivalit republikan se paketa e fondeve qeveritare nuk është formulë zgjidhjeje. Zoti Obama, i cili rezervoi disa minuta nga fushata për t’u ndalur në një dyqan lulesh për të blerë një buqetë për të shoqen, shfrytëzoi momentin për të kritikuar edhe rivalin Mekein për komentet e mëparshme se ekonomia amerikane ka baza të shëndosha. Kandidati demokrat foli për përparësitë që parashtron plani i tij për ekonominë:

"Edhe nëse paketa qeveritare jep të gjitha rezultatet e plota që priten, ky është vetëm fillimi dhe jo kurorëzimi i punës. 150 mijë vetë kanë humbur punën vetëm këtë muaj; ndërsa llogariten 750 mijë vetë që kanë humbur punën që nga fillimi i vitit. Sistemi shëndetësor duhet ndrequr, ndërkohë që duhet të kapërcejmë varësinë nga nafta e Lindjes së Mesme. Bazat e ekonomisë sonë nuk janë të forta, prandaj duhet të bëjmë sa më shumë për të ecur përpara. Nuk mund ta ndalim hemoragjinë ekonomike me këtë paketë, por duhet ta zbatojmë dhe më pas t’i vihemi punës për problemet më madhore që ta stabilizojmë ekonominë."

Duket se kohët e fundit mesazhi i zotit Obama se rivali i tij Mekein do të vazhdojë politikat e administratës së Presidentit Bush, i ka bindur disa votues të lëkundur, duke rritur epërsinë e tij në anketa. Megjithatë, diferenca mbetet e vogël dhe gara për Shtëpinë e Bardhë është ende shumë e fortë dhe e paparashikueshme.

XS
SM
MD
LG