Lidhje

Rajs: Së shpejti finalizohet marrëveshja bërthamore me Indinë


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs thotë se do të finalizohet së shpejti marrëveshja për shkëmbime të energjisë civile bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.

Zonja Rajs tha në një konferencë për shtyp se ka ende disa hollësi administrative, por jo thelbësore, që duhen zgjidhur para se ajo të nënshkruajë marrëveshjen, e cila i jep fund ndalimit të tregtisë bërthamore me Indinë, që ka qenë në zbatim prej 34 vjetësh.

Sekretarja e Shtetit i bëri komentet gjatë vizitës në Indi, ku u takua me ministrin e jashtëm indian, Pranab Mukherxhi.

Ligjvënësit amerikanë e miratuan marrëveshjen këtë javë. Sekretarja Rajs e cilësoi si "të kryer" finalizimin e marrëveshjes, duke shtuar se Presidenti Xhorxh Bush do ta nënshkruajë atë pa vonesë.

Sekretarja e Shtetit shprehu gjithashtu optimizëm për marrëdhëniet e ardhshme mes Uashingtonit dhe New Delhit, duke thënë se marrëveshja bërthamore i zgjeron më tej këto marrëdhënie.

Ndërkaq ministri i jashtëm indian Mukherxhi tha se marrëveshja do ta ndihmojë Indinë në përpjekjet e saj për zhvillim. //mm//

XS
SM
MD
LG